Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, po i afrohet fundit të mandatit ligjor pa arritur të finalizojë asnjë produkt, ndaj pritet t’i drejtohet Kuvendit me një kërkesë për zgjatjen e afatit të veprimtarisë së tij.
Të hënën, bashkëkryetari socialist i këtij mekanizmi, Damian Gjiknuri, njoftoi gjatë seancës plenare se do të kërkohet një shtyrje disamujore, me qëllim për të trajtuar të gjitha rekomandimet për projektligjet që lidhen me financimin e subjekteve politike dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Të lidhura
None found
Gjiknuri e cilësoi punën e komisionit si “relativisht të mirë”, por pranoi se janë hasur pengesa në komunikimin politik.
Ai shtoi se ekziston një projekt konsensual që ka marrë dritën jeshile nga Komisioni Europian dhe Komisioni i Venecias, duke e parë të mundur që brenda javëve të mbetura t’i paraqitet Kuvendit një ligj i mbështetur gjerësisht.
Edhe bashkëkryetari opozitar, Oerd Bylykbashi, u shpreh dakord me zgjatjen e mandatit. Sipas tij, puna e bërë deri tani ka përgatitur terrenin për një paketë ligjore që nuk kufizohet vetëm në rregullat zgjedhore.
Për opozitën, mbetet prioritet adresimi i përdorimit të burimeve shtetërore në fushata, sanksionimi i shkeljeve zgjedhore dhe përmirësimi i draftit për financimin e partive, duke reflektuar sugjerimet e ardhura nga OSBE/ODIHR dhe Komisioni i Venecias.
“Kjo nuk është hera e parë që mandati zgjatet; e njëjta praktikë u ndoq edhe në reformat e mirëfillta konsensuale të viteve 2002, 2004, 2008 dhe 2012,” tha Bylykbashi për BIRN, duke këmbëngulur se rregullat e reja duhet të jenë të zbatueshme dhe efektive përpara zgjedhjeve lokale të vitit 2027. Synimi është që për ato zgjedhje të paktën të ngrihet një strukturë e mirëpërcaktuar për ndalimin dhe penalizimin e kapjes së shtetit në proceset elektorale.
Ai theksoi nevojën për një kornizë ligjore funksionale që mundëson zgjedhje demokratike, duke përfshirë potencialisht edhe amendime në Kodin Penal apo ligjet për administratën publike.
Komisioni u formua në tetor 2025 me marrëveshje mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, në një periudhë tensionesh, pak muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit ku socialistët fituan mandatin e katërt me 83 deputetë. Plani fillestar parashikonte hartimin e ligjit të ri për financimin e partive deri në fund të vitit 2025 dhe përfundimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor deri në korrik 2026.
Produkti i vetëm i dalë deri më tani për publikun është një draft-projektligj për financimin e partive, i konceptuar me konsensus nga ekspertët e komisionit, i cili megjithatë u përball me kritika dhe rekomandime shtesë nga shoqëria civile. Opinionin e vet e dha edhe Komisioni i Venecias, duke sugjeruar rishikimin e disa dispozitave, sidomos atyre që kanë të bëjnë me financimin indirekt përmes subjekteve të lidhura, palëve të treta, platformave digjitale dhe shërbimeve në natyrë.
Për përfaqësuesit e shoqërisë civile, mbyllja e afatit pa fryte konkrete është vetëm njërën anë e medaljes. Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studime Politike, tha se mungesa e qartësisë dhe fakti që kjo reformë nuk ndryshon nga përpjekjet e mëparshme bipartizane të dështuara është edhe më shqetësuese. Ai shtoi se vullneti politik dhe përkushtimi real nuk përputhen me domosdoshmërinë për një reformë të thellë zgjedhore.
Në të njëjtën linjë, Erida Skëndaj, drejtuese e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, pohoi se reforma zgjedhore nuk u vendos në krye të agjendës parlamentare, çka pasqyron mungesën e vullnetit të vërtetë politik. Megjithatë, ajo e cilësoi pozitive faktin që po kërkohet vazhdimësia e komisionit, me kushtin që ai të prodhojë rezultate edhe të pjesshme përmes një pune sistematike.
Rigels Xhemollari, nga “Qëndresa Qytetare”, paralajmëroi se pasoja e menjëhershme e mungesës së një produkti do të reflektohet në zgjedhjet vendore, të cilat do të zhvillohen pa përmirësimet e nevojshme në procesin e votimit. Ai e lidhi bllokimin e draftit me situatën e tensionuar politike dhe protestat e vazhdueshme qytetare që sfidojnë establishmentin e kontrolluar nga dy forcat kryesore. “PS dhe PD nuk arritën të bëjnë dot pazarin e radhës, ndaj e shtynë”, deklaroi Xhemollari, duke e quajtur shpërdorim të besimit publik faktin që në tetë muaj nuk u arrit asgjë.
Skëndaj rikujtoi edhe një herë afatet e ngushta për zbatimin e ndryshimeve, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve parashikon që çdo rregull i ri të miratohet minimumi gjashtë muaj para procesit zgjedhor.
Nëse amendimet miratohen me vonesë, KQZ-së do t’i mbetet pak kohë për t’u familjarizuar me to dhe për t’i vënë në jetë, duke rrezikuar që rekomandimet e OSBE/ODIHR të pazbatuara të trashëgohen edhe në ciklin e ardhshëm zgjedhor.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile kritikuan gjithashtu metodologjinë e punës së komisionit. Krasniqi argumentoi se duhej një qasje e re, me një kalendar publik dhe konsultim më të gjerë, në mënyrë që të evitoheshin përsëritjet e gabimeve të së kaluarës.
Ai sugjeroi një paketë ligjore të integruar për financimin e partive, fushatat, për partitë politike dhe për Kodin Zgjedhor, në vend të një pune fragmentare.
Edhe Skëndaj theksoi se vijimi i punës së komisionit do të ishte i dobishëm vetëm nëse ndryshon tërësisht mënyra e të funksionuarit: një plan i detajuar me afate konkrete, objektiva të përcaktuara, konsultim thelbësor dhe një reformë gjithëpërfshirëse. Ajo propozoi që përparimi i kalendarit të ri të monitorohet në mënyrë periodike nga një strukturë e posaçme brenda Kuvendit.
