Edmond (Ali) Sula, i ekzekutuar në orët e para të së dielës pranë portës së banesës së tij në Vorë, merrej me shit-blerje pronash dhe një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me dyshimet për konflikte që mund të kenë pasur lidhje me këtë aktivitet.
Sipas informacioneve policore, raportohet se nga të dhënat paraprake, dyshohet se 50-vjeçari u qëllua me një plumb nga pas, sapo parkoi automjetin dhe po hynte në oborrin e banesës.
Hetuesit dyshojnë se autori ka përdorur një pushkë me dylbi, ndërsa vijojnë veprimet për identifikimin dhe kapjen e tij, si edhe për zbardhjen e plotë të motiveve të krimit.
Njoftimi i policisë:
Më datë 12.07.2026, rreth orës 00:10, në fshatin Bërxullë, Vorë, dyshohet se është vrarë me armë zjarri shtetasi E(A). S., rreth 50 vjeç, i cili ka qenë në rrugë, duke lëvizur në këmbë.
Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për fiksimin e çdo prove që do të ndihmojë në zbardhjen e saj, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrojnë kontrolle në zonë, me qëllim kapjen e autorit/ëve.

