Forcat e armatosura amerikane nisën sulme të reja kundër Iranit sot, në hakmarrje për zjarrin iranian ndaj një anijeje në Ngushticën e Hormuzit, duke goditur afërsisht 140 objektiva iraniane, raportojnë mediat e huaja.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se kishte nisur një valë të re sulmesh kundër Iranit “pas sulmit të paprovokuar nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike kundër M/V GFS Galaxy, një anije kontejnerësh me flamur qipriot që lundronte në Ngushticën e Hormuzit”.
Të lidhura
None found
Objektivat përfshinin objekte iraniane të raketave dhe dronëve, aftësi detare, objekte magazinimi municionesh, rrjete komunikimi dhe pozicione mbikëqyrjeje bregdetare, shtoi Komanda Qendrore e SHBA-së.
Garda Revolucionare e Iranit tha më parë se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur deri në njoftim të mëtejshëm, pasi qëlloi të shtëna paralajmëruese drejt një anijeje që dyshohet se u përpoq të kalonte nëpër një rrugë të paautorizuar.
Sipas televizionit shtetëror iranian, pas këtij incidenti, u vendos që Ngushtica e Hormuzit të mbyllet “derisa të ndalet ndërhyrja amerikane në rajon”.
Gjithashtu, u theksua se asnjë anije nuk do të lejohet të kalojë nëpër Ngushticën e Hormuzit dhe se nëse armiku e përdor incidentin si pretekst për të nisur sulme të reja kundër Republikës Islamike, atëherë do të marrë një “përgjigje të ashpër”.
Garda Revolucionare njoftoi gjithashtu se kishte goditur një anije të dytë në Ngushticën e Hormuzit dhe se kishte synuar bazën ajrore strategjike amerikane në Al Udeid në Katar me raketa balistike, duke shkatërruar, sipas tyre, qendrën e mirëmbajtjes së avionëve luftarakë dhe një strukturë komande dhe kontrolli.
Ushtria e Iranit njoftoi gjithashtu se forcat e saj kryen një sulm ndaj platformave të mbështetjes dhe furnizimit për një aeroplanmbajtëse amerikane në portin e Duqm, Oman.
Korpusi i Gardës Revolucionare (IRGC) shtoi se operacioni kishte në shënjestër qendrat e mbështetjes logjistike për anijet detare amerikane.
Përveç kësaj, një alarm u dha në agim në Emiratet e Bashkuara Arabe , Katar dhe Bahrein për sulme iraniane me raketa dhe dronë.
