Departamenti amerikan i Drejtësisë gjendet përballë një rasti të pazakontë në përpjekjet kundër trafikut të narkotikëve.
Të lidhura
None found
Uashingtoni beson se në krye të ri të Kartelit të Gjeneratës së Re të Jalisco-s (CJNG), një nga organizatat kriminale më të fuqishme dhe më të dhunshme në botë, është vendosur një qytetar amerikan.
Ai është Juan Carlos Valencia, 41 vjeç, i njohur me nofkën “El 03”, i lindur më 12 shtator 1984 në Santa Ana të Kalifornisë. Sipas autoriteteve amerikane, ai ka zënë vendin e Nemesio Oseguera Cervantes, të njohur si “El Mencho”, i cili u vra në një operacion në Meksikë më 22 shkurt.
Pas vdekjes së “El Mencho”, SHBA e ka përcaktuar zyrtarisht Valencian si drejtuesin e ri të CJNG-së dhe ka ofruar një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për çdo informacion që çon në kapjen e tij.
Valencia rrjedh nga një familje me lidhje të thella me krimin e organizuar. Babai i tij është Armando Valencia Cornelio, themeluesi i Kartelit Milenio, ndërsa e ëma, Rosalinda González Valencia, konsiderohet një figurë me peshë në strukturën e CJNG-së. Më pas, ai u rrit nën ndikimin e “El Mencho”, i cili u bë partneri i nënës së tij.
Megjithatë, shtetësia e dyfishtë e Valencias, amerikane dhe meksikane, ka sjellë një pengesë ligjore për autoritetet e SHBA-së. Ligji amerikan vendos kufizime ndaj operacioneve ushtarake që mund të vënë në rrezik jetën e një qytetari amerikan, çka e ndërlikon më tej ndjekjen ndaj tij.
Sipas raportimeve, një alternativë e mundshme është që agjencitë amerikane të inteligjencës të grumbullojnë të dhëna dhe t’ua përcjellin autoriteteve meksikane, të cilat më pas do të ndërmerrnin operacionin për arrestimin e tij.
Ekspertët nënvizojnë se mbetet ende e paqartë nëse “El 03” e ka marrë plotësisht drejtimin e kartelit, pasi brenda CJNG-së përmenden rivalitete dhe ndarje të pushtetit.
Gjithsesi, fakti që SHBA e ka shpallur atë objektivin kryesor tregon se Uashingtoni e sheh tashmë si kundërshtarin më të rrezikshëm në përballjen me një nga kartelët më të fuqishëm të drogës në botë.
