Pas vrasjes së liderit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, klima e tensionit vijon të përshkallëzohet. Gazeta iraniane Hamshari, e afërt me Bashkinë e Teheranit, ka bërë publike atë që e quan një “listë të zezë” me drejtuesit që i konsideron përgjegjës për vdekjen e tij.
Të lidhura
None found
Në këtë publikim paraqiten 13 liderë dhe funksionarë të lartë, të veshur me uniformat portokalli të të burgosurve amerikanë. Sipër fotove të tyre është vendosur në persisht shprehja “Hakmarrja është e pashmangshme”, ndërsa mesazhi shoqërohet edhe me paralajmërimin: “Kriminelët do ta marrin me vete në varr dëshirën për një vdekje paqësore”, duke lënë të kuptohet qartë një fund i dhunshëm.
Në krye të kësaj liste janë vendosur kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të cilët shfaqen edhe me një shenjë objektivi në ballë.
Në listën e publikuar nga Hamshari, përveç Trump dhe Netanyahu, përfshihen edhe Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, Komandanti i CENTCOM-it, Brad Cooper, Ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, dhe Shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Eyal Zamir.
Ky publikim doli në të njëjtën ditë kur lideri i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, bëri thirrje për hakmarrje ndaj atyre që, sipas Teheranit, mbajnë përgjegjësi për vrasjen e babait të tij.
Deri në këto momente nuk ka pasur reagime zyrtare nga figurat e përfshira në listë, ndërsa publikimi po interpretohet si një tjetër tregues i ashpërsimit të retorikës mes Iranit dhe vendeve perëndimore.
