Pas performancave që tërhoqën vëmendjen në Kupën e Botës, portieri i Kombëtares së Kepit të Gjelbër, Vozinha, është vlerësuar në një mënyrë të pazakontë dhe mjaft të veçantë, pasi luajti rol kyç që vendi i tij të hynte në histori në debutimin në këtë turne.
Të lidhura
None found
Biologu detar spanjoll Jesus Ortea ka vendosur që një specie e re molusku detar, e zbuluar së fundmi, të mbajë emrin e portierit veteran.
Specia, e emërtuar “Aldisa vozinhai”, është një kërmill i vogël detar me ngjyrë të kuqe dhe me gjatësi rreth katër milimetra, i panjohur më herët për botën shkencore.
Përshkrimi i këtij zbulimi është bërë në punimin e Ortea-s me titull “Historitë e Biodiversitetit”.
Molusku është gjetur në ujërat pranë Havanës në Kubë dhe Guadelupës, ndërsa studiuesi spanjoll zgjodhi që publikimin e studimit ta lidhte me periudhën e Kupës së Botës, pas paraqitjes së shkëlqyer të Vozinhas kundër Spanjës.
Në atë përballje, 40-vjeçari u vlerësua si futbollisti më i mirë i ndeshjes, pasi bëri shtatë pritje në barazimin pa gola ndaj kampionëve të Evropës.
Sipas raportimeve, ky emërtim u zgjodh nga Ortea edhe si një shenjë mirënjohjeje për popullin e Kepit të Gjelbër, me të cilin ai ka një lidhje të veçantë.
Në vitin 2023, studiuesi spanjoll mori Medaljen e Meritës Mjedisore për kontributin e tij në kërkimin mbi biodiversitetin detar në këtë arkipelag.
Kjo nuk është hera e parë që Ortea zgjedh të nderojë një futbollist në këtë formë.
Në vitin 2019, profesori i Universitetit të Oviedos i vendosi emrin e ish-portierit të Real Madridit dhe Kosta Rikës, Keylor Navas, një specieje të re kërmilli detar.
