Albion Rrahmani është zyrtarisht futbollist i Venezia, pasi klubi italian konfirmoi transferimin e sulmuesit kosovar nga Sparta Praga.
Të lidhura
None found
Me këtë lëvizje, reprezentuesi i Kosovës hedh një tjetër hap të rëndësishëm në karrierë, duke kaluar në elitën e futbollit italian, Serie A.
Venezia, skuadra e promovuar këtë edicion në Serie A, bëri të ditur se ka siguruar shërbimet e Rrahmanit nga klubi çek, ndërsa lojtari ka firmosur kontratë trevjeçare.
“Venezia FC njofton nënshkrimin e përhershëm të sulmuesit Albion Rrahmani nga Sparta Praga”.
“Sulmuesi kosovar ka nënshkruar një kontratë me Arancioneroverdi deri më 30 qershor 2029”, thuhet në njoftimin e klubit italian.
Pas firmës, Rrahmani deklaroi se është shumë i lumtur dhe se pret me padurim nisjen e kësaj aventure të re.
“Venecia është një klub me një histori të pasur dhe një vizion shumë ambicioz për të ardhmen. Patëm disa biseda dhe mbeta vërtet i impresionuar nga vizioni i klubit dhe qëllimet e tij”, ka thënë fillimisht Rrahmani.
“Të përfaqësosh një qytet kaq unik dhe prestigjioz, i mbështetur nga tifozë kaq të apasionuar dhe besnikë, është një burim i madh motivimi për mua”.
“Gjithmonë do të jap gjithçka nga vetja. Së bashku me shokët e mi të ekipit, do të luftojmë në çdo ndeshje për të arritur qëllimet tona dhe për t’u dhënë tifozëve tanë shumë për të qenë krenarë”, përfundoi sulmuesi kosovar.
Sipas raportimeve, kalimi i sulmuesit llapjan i ka kushtuar klubit italian 7.5 milionë euro.
