Fabian Ruiz ka vendosur që e ardhmja e tij të mbetet e lidhur me Paris Saint-Germain, teksa ka pranuar të firmosë një marrëveshje të re me klubin francez.
Të lidhura
None found
Mesfushori spanjoll, pjesë e kombëtares së Spanjës, ka hedhur poshtë interesimin e fortë të Real Madridit dhe Bayern Munichut, duke preferuar të vijojë qëndrimin në Paris, aty ku ka përjetuar një periudhë mjaft të suksesshme me trofe të njëpasnjëshëm në Francë dhe në Evropë.
Edhe pse pritej të hynte në vitin e fundit të kontratës aktuale, situatë që kishte tërhequr vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha evropiane, PSG-ja ka arritur të sigurojë vazhdimësinë e tij. Sipas mediumit francez RMC Sport, Ruiz, i transferuar nga Napoli në vitin 2022 për 22.5 milionë euro, do të vazhdojë të jetë pjesë e kampionëve francezë.
Gazetari Fabrice Hawkins ka raportuar se lojtari tashmë ka dhënë pëlqimin për një kontratë të re njëvjeçare, e cila përfshin edhe opsionin e zgjatjes për 12 muaj të tjerë.
Para se kjo marrëveshje të merrte formë, mungesa e një deklarate zyrtare kishte ushqyer një sërë spekulimesh për të ardhmen e tij.
Në Spanjë ishte raportuar gjerësisht se Real Madridi e konsideronte Ruizin si alternativën e duhur për të zëvendësuar boshllëkun e krijuar pas largimit të Toni Kroos, ndërsa Bayern Munich po mendonte një ofertë nën 40 milionë euro.
Të dy gjigantët e futbollit vlerësonin eksperiencën dhe cilësitë e mesfushorit spanjoll, i cili me PSG-në ka fituar dy trofe të Ligës së Kampionëve dhe katër tituj kampion.
30-vjeçari tashmë është kthyer në një element shumë të rëndësishëm në planet taktike të trajnerit Luis Enrique.
Gjatë sezonit të kaluar, Ruiz regjistroi 34 ndeshje në të gjitha kompeticionet, me 20 paraqitje në Ligue 1 dhe nëntë në rrugëtimin fitues të PSG-së në Ligën e Kampionëve, duke nënvizuar peshën e tij në ekipin parisien.
