“IL Fatto Quotidiano” i ka kushtuar një shkrim të gjatë protestës kundër qeverisë në Shqipëri, e cila ka hyrë në ditën e 39.
Sipas kësaj medieje, bëhet fjalë për mobilizimin më të madh popullor që vendi ka njohur në dekadat e fundit, ndërsa arritja më e madhe e tij është, sipas saj, largimi i frikës.
Të lidhura
None found
Po ashtu, vëmendje i është kushtuar edhe “luftës hibride” që, sipas medias italiane, është zhvilluar nga kryeministri Edi Rama, i cili ka tentuar ta paraqesë protestën si produkt të Iranit ose Rusisë.
Në artikull trajtohet edhe dhuna e policisë ndaj protestuesve, si dhe mungesa e reagimit nga institucionet.
Artikulli i plotë:
Mobilizimi më i madh popullor që Shqipëria ka parë në dekadat e fundit po vazhdon ende, duke u përhapur me shpejtësi në rrjetet sociale dhe duke u përballur me përpjekje të vazhdueshme për delegjitimim.
“Arritja më e rëndësishme e protestës është ajo që organizatorët e përshkruajnë si vrasja e frikës. Shqiptarët nuk e shohin më pushtetin e kryeministrit Edi Rama si të paprekshëm. Ky ndryshim në psikologjinë kolektive mund të jetë pasoja më domethënëse e kësaj lëvizjeje”.
Për gazetaren investigative Xhesika Tollia, e cila prej më shumë se një muaji i ndjek në terren manifestimet e Revolucionit Flamingo për portalin investigativ “Shteg”, ky është çasti që shënon kthesën e mobilizimit më të madh popullor të dekadave të fundit në Shqipëri. Sipas saj, përtej kërkesave politike, ka ndryshuar mënyra si qytetarët e perceptojnë pushtetin.
I njëjti bindim e ka shtyrë edhe Endrin Hysën, 37 vjeç, italian me origjinë shqiptare. Ai jeton prej vitesh në Itali, por sapo nisën protestat vendosi të bashkohej me diasporën dhe të kthehej në Shqipëri për të marrë pjesë në manifestime.
“Omerta (heshtja e imponuar nga frika) ka qenë gjithmonë një nga problemet më të mëdha të këtij populli. Për dekada të tëra shqiptarët jetuan të shkëputur nga bota gjatë komunizmit. Pas rrëzimit të tij, shumë njerëz u mësuan të pranonin në mënyrë pasive një politikë thellësisht të korruptuar,” thotë 37-vjeçari.
Ai kujton edhe disa skena nga fëmijëria e tij: “Kur isha fëmijë, jetoja në Durrës dhe të gjithë e dinim se ai pallat shumëkatësh ishte ndërtuar nga mafia, ose ai lokali, apo ai tjetri ngjitur. Për ne, prania e krimit të organizuar ishte diçka normale,” shpjegon Endrini.
Më tej, ai shton: “Për këtë arsye kam menduar gjithmonë se Shqipëria nuk do të ndryshonte kurrë, për sa kohë do të vazhdonte kjo heshtje kolektive. Kur pashë në Instagram mijëra njerëz që dilnin në rrugë, e kuptova se po ndodhte diçka e jashtëzakonshme. Për herë të parë pashë shqiptarët të çliroheshin nga frika. Dhe unë duhej të isha këtu”.
Rasti i tij nxjerr në pah edhe një tjetër veçori të Revolucionit Flamingo: aftësinë për t’u përhapur më shumë përmes rrjeteve sociale sesa përmes mediave tradicionale.
“Bëhet fjalë për një protestë jo tradicionale,” shpjegon Tollia. “Ajo mbështetet fort te rrjetet sociale dhe përdor mënyra komunikimi tipike të brezave të rinj. Kushdo që ka një telefon inteligjent dhe lidhje interneti mund të publikojë një video që mund të bëhet virale brenda pak orësh”.
Pikërisht për këtë arsye, thekson ajo, lëvizja nuk është varur kurrë nga mbulimi i mediave tradicionale, as në nivel kombëtar e as ndërkombëtar.
“Protesta u përhap përmes algoritmeve të rrjeteve sociale. Dhe për këtë arsye edhe kryeministri Rama e ka cilësuar disa herë algoritmin si ‘fajtor’”.
Gazetarja shqiptare thotë se në fillim kryeministri u përpoq të vendoste vetë narrativën: “Në fillim tentoi t’i zbehte protestat. Më pas, kur u bë e qartë se ato përfaqësonin një realitet politik që nuk mund të shpërfillej më, nisi të kërkonte elemente për t’i diskredituar”.
Sipas saj, Rama fillimisht foli për një “luftë hibride”.
“Ai pretendoi se lëvizja ndikohej nga interesa ruse ose iraniane. Kur këto shpjegime nuk gjetën mbështetje në opinionin publik, filloi të nxirrte në pah protestues të veçantë, duke publikuar emrat dhe fotografitë e tyre në kanalet e tij në rrjetet sociale.”
Ndërkohë, atmosfera në sheshe është bërë më e nderë.
Gjatë ditëve të fundit janë regjistruar përplasje dhe disa arrestime. Megjithatë, një nga thirrjet që dëgjohet më shpesh vazhdon të jetë: “Policia është me ne.”
“Përdorimi i forcës nuk mund të justifikohet me faktin se disa protestues hodhën miell ose vezë drejt automjeteve të deputetëve,” thotë Tollia.
“Deri tani nuk ka pasur asnjë reagim institucional për dhunën që disa të arrestuar kanë denoncuar. Kemi parë njerëz tashmë të neutralizuar dhe të shtrirë në tokë, të goditeshin me shkopinj gome.”
Sipas Tollias, këto episode dhune janë përfshirë me shpejtësi në narrativën e qeverisë.
“Ishte e pritshme që këto episode të shfrytëzoheshin për të forcuar rrëfimin e qeverisë. Dhe pikërisht kjo po ndodh. Disa ekspertë të komunikimit mendojnë se Partia Socialiste po ndjek një strategji të koordinuar të disiplinës së mesazhit (message discipline) dhe manipulimit politik (political spin).”
Megjithatë, sipas gazetares, përplasjet nuk kanë bërë që mbështetja për protestën të bjerë.
“Manifestimi kombëtar i 4 korrikut, që nxori në rrugë mijëra njerëz, tregoi se protesta vazhdon të mobilizojë qytetarët po aq sa ditën e parë. Pamjet e prindërve që sjellin fëmijët në protesta dhe i lënë të vizatojnë ulur mbi asfalt janë prova më e qartë se shumica e pjesëmarrësve nuk kërkon dhunë. Ata e vazhdojnë ta mbështesin lëvizjen me të njëjtin entuziazëm si në fillim.”
Kërkesat e mijëra protestuesve mbeten të pandryshuara: një ndryshim i thellë politik dhe dorëheqja e Edi Ramës, i cili për momentin nuk ka ndërmend të largohet nga detyra.
“Nuk mund të them nëse Rama do të japë dorëheqjen apo jo,” përfundon Tollia.
“Ai vetë e ka përsëritur disa herë se kjo mundësi nuk bën pjesë në planet e tij. Ajo që mund të them është se kjo protestë do të ketë për të një kosto të konsiderueshme politike.”
