Policia e Tiranës, ka vazhduar hetimet lidhur me tubimin e mbajtur më 4 korrik 2026 pranë Komisariatit të Policisë nr. 3, ku u shënuan përplasje mes protestuesve dhe efektivëve, si edhe u dëmtua godina e komisariatit.
Pas veprimeve hetimore të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, janë identifikuar 12 persona të dyshuar si të përfshirë në aktet e dhunshme.
Të lidhura
None found
Në vijim të procedurave, policia ka ndaluar me iniciativë shtetasin E.H., 33 vjeç. Po ashtu, 7 persona të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Ndërkohë, 4 persona janë shpallur në kërkim, ndërsa identitetet e tyre nuk bëhen publike pasi hetimet janë ende në zhvillim.
Autoritetet thonë se grupi hetimor po vijon punën për të identifikuar edhe persona të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në veprimet e dhunshme gjatë tubimit.
Njoftimi i Policisë:
Vijojnë veprimet hetimore për tubimin e zhvilluar më datë 04.07.2026. Arrestohet 1 shtetas, procedohen penalisht 7 shtetas dhe shpallen në kërkim 4 shtetas.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë, në lidhje me tubimin e zhvilluar më datë 04.07.2026, pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, gjatë të cilit u kryen veprime të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë dhe godinës së Komisariatit, u identifikuan 12 shtetas të dyshuar të përfshirë në këto veprime.
Në vijim të veprimeve procedurale:
– u ndalua me iniciativë shtetasi E. H., 33 vjeç;
– u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit K. M., V. K., E. L., Sh. B., V. D., E. N. dhe B. K.;
– u shpallën në kërkim 4 shtetas, inicialet e të cilëve nuk bëhen të ditura, për shkak se hetimet vijojnë.
Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin dhe nxjerrjen para përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në aktet e dhunshme.
Materialet procedurale iu dërguan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, “Shkatërrimi i pronës”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”, “Mosbindja ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të Policisë”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
