Këtë të martë, Marine Le Pen do të marrë vesh nëse do të ketë mundësi të garojë në zgjedhjet presidenciale të Francës në vitin 2027.
Të lidhura
None found
Vendimi i Gjykatës së Apelit në Paris pritet të bëhet publik në orën 13:30 me orën lokale dhe mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ecurinë e garës për presidencën.
Le Pen, udhëheqësja e së djathtës ekstreme në Francë, ka hyrë tri herë në garën presidenciale dhe është mposhtur në balotazh nga Emmanuel Macron në vitet 2017 dhe 2022. Rreth 10 muaj përpara zgjedhjeve, ajo kryeson në sondazhe. Në rast se nuk lejohet të kandidojë, Rassemblement National (RN) do të përfaqësohet nga Jordan Bardella, 30-vjeçari që konsiderohet si trashëgimtari i saj politik.
Më 31 mars 2025, një gjykatë e shpalli fajtore Marine Le Pen për përvetësimin e rreth 1.4 milionë eurove nga fondet e Parlamentit Evropian.
Sipas këtij vendimi, paratë që ishin parashikuar për pagat e asistentëve parlamentarë gjatë viteve 2004-2016 u përdorën për financimin e punonjësve të partisë së saj. Le Pen ka qenë eurodeputete në periudhën 2004-2017.
Gjykata vendosi ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për pesë vjet.
Po ashtu, ajo u dënua me katër vite burg, prej të cilave dy me kusht dhe dy për t’u vuajtur në arrest shtëpiak me byzylyk elektronik.
Sipas gjyqtarëve, Le Pen kishte miratuar ose kishte toleruar skemën e vendeve fiktive të punës dhe u cilësua si figura qendrore e saj.
Në procesin e apelimit, i zhvilluar në janar dhe shkurt të këtij viti, Le Pen e mohoi se kishte organizuar mashtrimin, por pranoi se ishte bërë “një gabim”, që kishte sjellë si pasojë që disa asistentë parlamentarë të punonin “në interes të partisë”.
Prokuroria ka kërkuar lënien në fuqi të dënimit, me ndalimin pesëvjeçar për ushtrimin e funksioneve publike dhe një vit burg me byzylyk elektronik, ndërsa tre vitet e tjera të jenë me kusht.
Ka disa mundësi për vendimin që pritet të shpallet.
Nëse shpallet e pafajshme, Le Pen do të jetë e lirë të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale. Ky cilësohet si varianti më pak i mundshëm.
Nëse dënimi konfirmohet dhe ndalimi për të mbajtur poste publike mbetet më i gjatë se dy vjet, ajo nuk do të mund të kandidojë në zgjedhjet e vitit 2027.
Nëse gjykata vendos ta ulë ndalimin në dy vjet ose më pak, Le Pen do të jetë sërish e pranueshme për të hyrë në garën presidenciale.
Nëse gjykata pranon kërkesën e prokurorisë për burg me byzylyk elektronik, Le Pen do të duhet ta mbajë atë për një vit. Ajo vetë ka thënë se një kandidat për president duhet të ketë liri të plotë lëvizjeje.
“Kur je kandidat për president duhet të jesh plotësisht i lirë të lëvizësh. Nuk mund të varem nga një gjyqtar që të më lejojë të zhvilloj një miting apo të shkoj në një treg,” ka deklaruar ajo.
Edhe nëse apeli rrëzohet, Le Pen ka mundësi ta dërgojë çështjen në Gjykatën e Kasacionit, megjithëse një procedurë e tillë mund të zgjasë disa muaj dhe të ndikojë ndjeshëm në fushatën e saj.
Marine Le Pen mori drejtimin e partisë së ekstremit të djathtë në vitin 2011, pas babait të saj Jean-Marie Le Pen, themelues i Frontit Kombëtar.
Më pas ajo e riformësoi partinë, i ndryshoi emrin në Rassemblement National dhe u përpoq ta shkëpuste nga imazhi i saj tradicional ekstremist. Në vitin 2015, ajo përjashtoi edhe të atin nga partia për shkak të deklaratave të tij për Holokaustin.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024, RN regjistroi rezultatin më të mirë në historinë e vet, duke siguruar 143 vende në Asamblenë Kombëtare.
Le Pen ka deklaruar se nuk i druhet vendimit, por ka pranuar se një ndalim për të kandiduar do të ishte “i dhimbshëm”.
“Çfarëdo që të ndodhë, nuk do të jem e vdekur. Do të vazhdoj të luftoj për idetë e mia,” deklaroi ajo.
Ajo ka paralajmëruar gjithashtu se një vendim që e ndalon të kandidojë “mund ta pengojë Francën të funksionojë në mënyrë demokratike.”
Pas shpalljes së vendimit, Le Pen pritet të japë një intervistë në edicionin kryesor të lajmeve në televizionin francez TF1.
Nëse drejtësia nuk e lejon të kandidojë, partia e saj do të përfaqësohet nga Jordan Bardella, kryetari aktual i RN-së dhe një prej figurave më të njohura të së djathtës franceze.
Bardella, i cili mbush 31 vjeç në shtator, është pjesë e ekipit të Le Pen që nga viti 2017 dhe tashmë konsiderohet si pasardhësi i saj politik.
Në fundjavë, ai u shpreh: “Dua të përsëris mbështetjen time të plotë dhe miqësinë time për Marine Le Pen. Jam i angazhuar ta shoh atë presidente të Republikës.”
Vetë Le Pen ka bërë të qartë se, nëse nuk do të lejohet të kandidojë, ajo do ta mbështesë Bardellan “me shumë energji, bindje dhe besim”. Më herët ajo kishte thënë se, nëse do të bëhej presidente, ai do të ishte kryeministri i saj.
