Përballja e Kampionatit Botëror mes Francës dhe Paraguait mund të pësojë ndryshime në momentet e fundit, pasi po rritet presioni që FIFA ta shtyjë ndeshjen për shkak të temperaturave ekstreme që kanë përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Të lidhura
None found
Takimi i fazës së 1/16 së finales, që do të luhet të shtunën në Filadelfia, pritet të zhvillohet në kushte të vështira, me temperaturat që parashikohet të kalojnë 38 gradë Celsius dhe me lagështinë e lartë që e rëndon edhe më tej situatën.
Raportimet paralajmërojnë se temperatura e ndjerë brenda stadiumit të hapur mund të arrijë deri në 46 gradë Celsius, çka ka shtuar shqetësimet serioze për sigurinë e lojtarëve, tifozëve dhe stafit të pranishëm.
Bharat Venkat, drejtor i Heat Lab në Universitetin e Kalifornisë, tërhoqi vëmendjen për rreziqet që sjell aktiviteti fizik në temperatura të tilla.
“Kur ushtrohesh fizikisht në një ditë veçanërisht të nxehtë, gjasat për t’u përballur me probleme shëndetësore të lidhura me nxehtësinë apo edhe me pasoja fatale janë shumë më të larta”.
Stadiumi i Filadelfias nuk ka sisteme të kontrollit klimatik që do t’u ofronin mbrojtje tifozëve nga temperaturat e larta, ndërsa FIFA pritet të zbatojë masa si pushime për hidratim, zona ftohjeje dhe protokolle të tjera kundër vapës.
Sidoqoftë, sindikata e futbollistëve FIFPRO dhe ekspertë të ndryshëm kanë vlerësuar se këto masa mund të mos mjaftojnë dhe se ndeshjet duhet të shtyhen në rast se kushtet bëhen të pasigurta për t’u zhvilluar.
Më herët, futbollistët francezë kishin shfrytëzuar edhe spërkatëset e fushës për t’u freskuar gjatë ndeshjes ndaj Suedisë në New Jersey, ku temperaturat kishin arritur në 32 gradë Celsius.
Edhe shkencëtarët kanë shprehur kritika ndaj udhëzimeve të FIFA-s për mbrojtjen nga temperaturat e larta, duke i konsideruar ato të pamjaftueshme për realitetin e një vere të nxehtë në Amerikën e Veriut.
Vështirësitë e motit nuk lidhen vetëm me sfidën Francë–Paraguai.
Në debat për kushtet atmosferike është përfshirë edhe ndeshja mes Anglisë dhe Meksikës, përpara takimit të së dielës në stadiumin Azteca.
Sipas mediave meksikane, ekzistoi mundësia që kjo përballje të zhvendosej gjashtë orë më herët për shkak të shqetësimeve për motin e keq dhe stuhitë e mundshme në Mexico City, por FIFA vendosi të mos e ndryshojë orarin fillestar të ndeshjes.
Ndeshja e kaluar e Meksikës ndaj Ekuadorit ishte shtyrë si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, ndërsa organizatorët po vijojnë të monitorojnë situatën.
