Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të vendosin për dhënien e një licence që do t’i hapte rrugë Ukrainës të prodhojë sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore Patriot.
Apeli i presidentit ukrainas erdhi menjëherë pas valës së fundit të sulmeve ajrore ruse, të cilat gjatë natës kishin në shënjestër kryeqytetin ukrainas, Kievin. Prej muajsh, Zelensky po kërkon nga Uashingtoni dritën jeshile për këtë çështje, duke theksuar se përforcimi i mbrojtjes ajrore mbetet përparësia kryesore e vendit.
Të lidhura
None found
“Është veçanërisht e rëndësishme që marrëveshjet tona me SHBA-në për prodhimin e raketave antibalistike të kalojnë në fazën e zbatimit. Ne mbështetemi shumë në vendimin e Shteteve të Bashkuara për licencat e Patriot dhe bashkëpunime të tjera. Kjo është ajo që mund të ndalojë luftën dhe sulme të ngjashme”, deklaroi Zelensky.
Në luftën me Rusinë, Ukraina ka marrë sisteme Patriot, të cilat konsiderohen si të vetmet në arsenalin e saj që mund të interceptojnë raketat balistike ruse. Sidoqoftë, Kievi po synon të sigurojë aftësinë për t’i prodhuar ato edhe brenda territorit të vet. Muajin e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump sinjalizoi se administrata e tij do të “shqyrtojë” mundësinë që Ukraina t`i prodhojë vetë raketat Patriot.
