Përpjekja për të rishikuar mënyrën se si interpretohet Amendamenti i 14-të i Kushtetutës së SHBA-së ishte një nga nismat më të rëndësishme të Donald Trumpit në nisje të mandatit të tij të dytë. Objektivi ishte ndalimi i shtetësisë automatike për fëmijët që lindin në territorin amerikan.
Kjo nismë, megjithatë, hasi në kundërshtimin e Gjykatës Supreme, e cila vendosi kundër administratës së tij. Unioni Amerikan për Liritë Civile (ACLU) e përshëndeti këtë vendim, duke e konsideruar si një rikonfirmim të një prej parimeve bazë të shtetit amerikan. “Pavarësisht se kush janë prindërit tuaj, nëse lindni në SHBA, ju i përkisni këtij vendi”, thuhet në reagimin e ACLU-së.
Të lidhura
None found
Prej kohësh, Trump e kishte sulmuar shtetësinë sipas lindjes, duke e etiketuar atë si “një turp”. Në të njëjtën linjë, zëvendëspresidenti JD Vance e kishte quajtur atë “politikën më të gabuar të emigracionit në botë”.
Ndonëse vendimi i Gjykatës Supreme e mban të pandryshuar kuadrin aktual ligjor, specialistët theksojnë se diskutimi i ndezur rreth kësaj teme ka sjellë pasiguri.
Kim Lane Scheppele, profesoreshë e Sociologjisë dhe Çështjeve Ndërkombëtare në Universitetin Princeton, u shpreh se vetëm fakti që kjo çështje është vënë në pikëpyetje ka bërë që edhe persona që kanë kaluar gjithë jetën e tyre në SHBA të ndihen më të pasigurt për statusin që kanë.
Sipas saj, administrata Trump ka intensifikuar verifikimet për shtetësinë dhe ka krijuar pranë Departamentit të Drejtësisë një zyrë të posaçme për rastet e denatyralizimit. Prej vitesh, Trump e ka paraqitur heqjen e shtetësisë sipas lindjes si një nga kolonat kryesore të politikës së tij për imigracionin, me pretendimin se kjo praktikë nxit emigracionin e paligjshëm.
Vendimi i Gjykatës Supreme përbën një goditje ndaj një prej zotimeve më të rëndësishme të administratës së tij në fushën e emigracionit.
Pavarësisht kësaj, analistët mendojnë se politika “America First” nuk pritet të ndryshojë drejtim, pasi Trump ka dëshmuar se synon të ecë përpara me masa të forta kundër emigracionit të paligjshëm dhe me kufizime për hyrjen e refugjatëve në SHBA.
