Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama në Gjermani, ku ky i fundit u shpreh se “ëndrra” e tij është që Shqipëria t’i shesë Gjermanisë një sistem me inteligjencë artificiale për luftën kundër korrupsionit.
Në reagimin e tij publik, Shehaj e quajti këtë deklaratë “talljen e fundit të Edi Ramës”. Sipas tij, ndërsa prej 31 ditësh mijëra qytetarë po protestojnë në bulevard duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, Rama shkon në Europë dhe flet për luftën kundër korrupsionit në Gjermani.
Të lidhura
None found
Shehaj tha se pas këtyre deklaratave fshihet një shqetësim i madh i kryeministrit, duke pretenduar se ai synon t’i shmanget drejtësisë.
Në fjalën e tij, Shehaj u shpreh se secili ka ëndrrat e veta, por sipas tij, ëndrra e Edi Ramës është e paimagjinueshme.
Ai deklaroi se Rama ëndërron të ndihmojë Gjermaninë në luftën kundër korrupsionit përmes sistemit që, sipas tij, ai vetë ka krijuar, sistemit IA që ai ka krijuar.
“Kjo është tallja e fundit e Edi Ramës! Sepse ka një hall të madh në fakt. Edi Rama bredh nëpër Europë, ka shkuar në Gjermani sepse kërkon t’i shpëtojë drejtësisë”, u shpreh Shehaj.
Më tej, ai tha se ndërkohë që protestuesit dalin çdo ditë në bulevard prej 31 ditësh, duke kërkuar dorëheqjen e tij dhe që ai të dalë përpara drejtësisë, Edi Rama vazhdon, sipas tij, të tallet.
Sipas Shehajt, Rama nuk ka nga t’ia mbajë, pasi ëndrra e shqiptarëve është një qeveri e pakorruptuar. Ai shtoi se që kjo të bëhet realitet, Edi Rama duhet të largohet dhe mbi të gjitha të përballet me drejtësinë, në mënyrë që kushdo që të vijë pas tij të kuptojë se askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është i paprekshëm kur vjedh popullin më të varfër në Europë.
