Pas përfundimit të hetimeve, një prokuror publik nga Zyra e Prokurorit Publik Themelor për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore Penale në Shkup ndaj drejtorit të Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë, për veprën penale “Marrje Ryshfeti”.
Të lidhura
None found
Sipas aktakuzës, i pandehuri, në cilësinë e zyrtarit – drejtor i Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë, gjatë marsit të këtij viti ka kërkuar dhe ka marrë drejtpërdrejt përfitim të konsiderueshëm material për vete, me synimin që të kryente një veprim zyrtar që nuk i takonte ta bënte.
Ai, siç thuhet në aktakuzë, ka bërë presion që një person juridik i angazhuar me prodhimin dhe importin e plehrave artificiale të mos merrte miratimin për importin e tyre, ndonëse më herët kishte kryer disa herë import të këtij lloji mallrash. Përmes kësaj ndërhyrjeje, ai ka ndikuar te një zyrtar – inspektor fitosanitar në një pikëkalim kufitar – që të mos lejonte hyrjen e mallit në vend, duke bërë që ai të qëndronte i ndalur në kufi për disa ditë.
Më 13.03.2026, i pandehuri në Sveti Nikolë ka kërkuar drejtpërdrejt ryshfet në vlerë prej 100,000 eurosh për importin e miratuar dhe për importet e ardhshme të plehut artificial, duke kërkuar që pagesa të bëhej në tre këste.
Më 19.03.2026, pasi ankuesi i dorëzoi këstin e parë prej 50,000 eurosh përmes një dëshmitari, i pandehuri u arrestua nga oficerët e policisë në momentin kur po merrte paratë.
Me aktakuzën është paraqitur edhe një propozim i posaçëm për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, për shkak të rrethanave që kanë shërbyer si bazë për caktimin e saj, njoftojnë nga Prokuroria.

