Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu deklaroi sot, në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, se për aq kohë sa do të jetë në këtë detyrë, do të vazhdojë të japë kontribut të pandërprerë në sistemin shëndetësor, ndërsa theksoi se edhe më pas do të angazhohet maksimalisht për komunitetin.
Të lidhura
None found
Ai tha se mbetet Ministër i Shëndetësisë deri në çastin kur Kuvendi të votojë një ministër të ri dhe se deri atëherë do të punojë çdo minutë në funksion të sistemit shëndetësor në vend.
Sipas Aliut, kur hyri në politikë 10 vjet më parë, synimi i tij ishte të ndihmonte, ndërsa sot, pas 10 vjetësh dhe me përvojën politike që ka fituar, ai është në politikë për të sjellë ndryshim. Siç u shpreh ministri në largim, bëhet fjalë për ndryshimin e mënyrës se si zhvillohet politika dhe për mënyrën se si një politikan duhet të jetë transparent dhe të funksionojë realisht brenda sistemit.
Aliu nënvizoi gjithashtu se secili prej nesh e ka për detyrë të japë kontribut për komunitetin.
Ai tha se e vlerëson faktin që do të ketë vazhdimësi në kujdesin shëndetësor dhe shtoi se është i bindur që ministri i ri do t’i vazhdojë politikat që janë vendosur tashmë. Sipas tij, reformat e ndërtuara deri më tani kanë qenë sistematike dhe për këtë arsye do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje të një gazetari, Aliu theksoi se beson që dixhitalizimi është një nga elementët kryesorë që duhet të vijojë në kujdesin shëndetësor.
Pas rindërtimit të Qeverisë, drejtimin e sektorit të shëndetësisë do ta marrë drejtori aktual i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Sasho Klekovski, kuadër i OBRM-PDUKM-së.

