Një qytetare amerikane që arriti t’i shpëtojë aksidentit tragjik të ndodhur këtë të martë në autostradë, ku humbën jetën dy persona dhe u plagosën 13 të tjerë, ka përshkruar çastet e frikshme që përjetoi gjatë ngjarjes.
Sipas dëshmisë së saj, gjithçka ndodhi shumë shpejt, brenda pak sekondash.
Të lidhura
None found
“Sapo u zgjova, ndjeva që po dilnim nga rruga dhe ngrita kokën. Brenda pak sekondash, pothuajse menjëherë, u gjendëm të përmbysur në njërin krah. Pastaj njerëzit filluan të bërtisnin, valixhet po binin poshtë”, tregoi ajo.
Pas përmbysjes së autobusit, amerikania tha se fillimisht u sigurua nëse ishte e lënduar dhe më pas doli nga pjesa e pasme e mjetit, ndërsa pasagjerët e tjerë thërrisnin për ndihmë.
“Kontrollova nëse isha mirë dhe dola jashtë. Njerëzit po bërtisnin menjëherë. Banorët e zonës erdhën për të ndihmuar, ndaluan makinat e tyre, më sollën ujë. Kam qenë me të vërtetë shumë, shumë me fat”, rrëfeu ajo.
Ajo shtoi se dëmtimet më të mëdha i pësuan udhëtarët që ndodheshin në anën e majtë të autobusit.
“Unë isha ulur në anën e djathtë, në sediljen e dytë. Njerëzit që ishin në anën e majtë u lënduan më rëndë. Ata duhet të kenë pësuar lëndime serioze”, tha dëshmitarja.
E pyetur për mënyrën se si po sillej shoferi gjatë rrugës, ajo u shpreh se kishte vënë re një sjellje të pazakontë, por nënvizoi se nuk mund të japë një gjykim të sigurt.
“Gjatë gjithë rrugës ai ishte disi… gjatë gjithë udhëtimit. Ndoshta… këtë nuk e di”, u shpreh ajo.
Amerikania, e cila pritet të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara përmes Londrës, tha se edhe pas kësaj ngjarjeje të rëndë, ajo ruan përshtypje shumë të mira për Shqipërinë.
“Më pëlqen shumë ky vend, por fatkeqësisht ndodhi kjo. Megjithatë, nuk ishte faji i askujt. Thjesht falënderoj Zotin që jam gjallë”, përfundoi ajo.
