Analisti politik Petar Arsovski vlerëson se çështja e votimit elektronik duhet parë e ndarë mes interesit politik dhe atij shtetëror.
Të lidhura
None found
Duke folur për Kodin e ri Zgjedhor, i cili po hyn në procedurë parlamentare, Arsovski thekson se arsyeja shtetërore për t’i lejuar diasporës votimin elektronik lidhet me faktin se një pjesë e qytetarëve jetojnë larg misioneve diplomatike dhe konsullore. Sipas tij, nëse atyre nuk u jepet kjo mundësi, praktikisht do t’u pamundësohet ushtrimi i së drejtës së votës, edhe pse kjo e drejtë u takon si shtetas.
Pika që po kundërshtohet më së shumti nga një segment i opozitës është pikërisht përfshirja e votimit elektronik për qytetarët që ndodhen jashtë vendit. Zgjidhja e propozuar parasheh që diaspora të mos votojë më fizikisht në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore, por të mund ta realizojë votën përmes sistemit elektronik të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.
Në një deklaratë për “Lokalno”, Arsovski shprehet se motivi politik në këtë rast qëndron te fakti se partia që aktualisht është në pushtet ka marrë tradicionalisht shumë më tepër vota nga diaspora sesa opozita e tanishme.
Ai shton se, nëse kjo e drejtë u njihet qytetarëve që jetojnë jashtë vendit, atëherë ajo duhet t’u garantohet edhe qytetarëve që jetojnë brenda vendit. Sipas Arsovskit, Maqedonia është mjaftueshëm e vogël për ta zbatuar votimin elektronik për të gjithë banorët e saj, qoftë edhe nëse ai zhvillohet elektronikisht në qendrat e votimit, duke pasur parasysh se sot votimi në distancë mund të realizohet pa vështirësi./Telegrafi/

