Policia e Tiranës ka përmbyllur operacionin e koduar “Segmenti”, të ndërmarrë për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal që dyshohet se merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike në zona të ndryshme të kryeqytetit, kryesisht pranë shkollave 9-vjeçare dhe të mesme.
Si rezultat i këtij aksioni, janë zbatuar masat e sigurisë “arrest në burg” për 14 shtetas dhe “arrest në shtëpi” për 1 shtetase, të dyshuar si anëtarë të këtij grupi. Ndërkohë, 5 persona të tjerë janë shpallur në kërkim dhe puna vijon për gjetjen dhe ndalimin e tyre.
Të lidhura
None found
Sipas Policisë së Tiranës, hetimet e deritanishme kanë dokumentuar se pjesëtarët e këtij grupi bashkëpunonin me njëri-tjetrin për shpërndarjen e lëndëve narkotike në disa zona të qytetit, duke u përqendruar veçanërisht pranë institucioneve arsimore.
Në kuadër të hetimeve dhe kontrolleve të kryera, uniformat blu kanë vënë në pranga edhe një shtetas të kapur në flagrancë me armë zjarri pistoletë dhe municion. Po ashtu, janë konstatuar edhe ambiente të përshtatura për organizimin e lojërave të palejuara të fatit.
Gjatë kontrolleve, policia ka sekuestruar 220 gramë lëndë të dyshuar kokainë, qindra doza cannabis sativa të bëra gati për shitje, një armë zjarri pistoletë, dy tavolina pokeri, fisha dhe çipsa për lojëra fati, si edhe 2 300 000 lekë të rinj, që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti i paligjshëm.
Operacioni “Segmenti” është rezultat i një hetimi të gjatë, ndërsa në etapa të mëparshme të tij janë zhvilluar edhe aksione të tjera policore, ku janë arrestuar 7 shtetas dhe janë sekuestruar sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
