Mbrëmja e së hënës në Principatën e Monakos u trondit nga një shpërthim i fortë, që la të plagosur tre persona dhe vuri në alarm autoritetet, të cilat po e trajtojnë ngjarjen edhe si një sulm të mundshëm terrorist.
Menjëherë pas incidentit, policia nisi një operacion të gjerë për të identifikuar dhe arrestuar autorin e dyshuar, për të cilin besohet se u largua nga zona sapo ndodhi shpërthimi.
Të lidhura
None found
Të dhënat paraprake tregojnë se shpërthimi ndodhi pranë hyrjes së Fondacionit Cuomo, në lagjen Moulins. Dyshimet e para flasin për një bombë të vendosur në katin përdhes të një pallati. Sipas dëshmive në vendngjarje, pak çaste përpara shpërthimit një person kishte lënë disa çanta aty, ndërsa hetuesit po analizojnë edhe mundësinë e përdorimit të një mjeti shpërthyes të improvizuar.
Të plagosurit janë tre pjesëtarë të së njëjtës familje me shtetësi ukrainase: një burrë dhe një grua të moshës rreth 50-60 vjeç, si edhe djali i tyre adoleshent. Dy të rriturit u dërguan në Spitalin Pasteur në Nicë, ndërsa i mituri u transportua në Spitalin Pediatrik Lenval. Deri më tani nuk ka informacion zyrtar për gjendjen e tyre shëndetësore.
Mediat franceze raportojnë se objektivi i mundshëm i sulmit ishte biznesmeni ukrainas Vladimir Ermolaev, së bashku me bashkëshorten dhe djalin e tij. Sipas renditjes së revistës Forbes, Ermolaev mban vendin e 23-të në mesin e 100 ukrainasve më të pasur. Pavarësisht kësaj, autoritetet ende nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht identitetin e personit që mund të ketë qenë në shënjestër.
Pas shpërthimit, zona u izolua nga një numër i madh forcash policore dhe zjarrfikësesh. Dyshohet se kamerat e sigurisë kanë regjistruar një burrë që la një çantë shpine në këtë zonë pak para ngjarjes, ndërsa kërkimet janë zgjeruar edhe në qytetin fqinj Beausoleil, ku mendohet se është arratisur i dyshuari.
Në këtë operacion po marrin pjesë si autoritetet e Monakos, ashtu edhe shërbimet e emergjencës nga Franca fqinje. Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar motivin e sulmit dhe për të identifikuar autorin.
Fondacioni Cuomo është një organizatë bamirëse që zhvillon aktivitetin e saj kryesisht në Afrikën e Veriut dhe në Lindjen e Mesme, duke u përqendruar në arsimin, zhvillimin social dhe mbështetjen e komuniteteve në nevojë.
