Një ngjarje e pazakontë u raportua në hapësirën ajrore të Nju Jorkut, ku një avion i JetBlue që po përgatitej të ulej në Aeroportin Ndërkombëtar John F. Kennedy dyshohet se pati kontakt me një dron.
Pas incidentit, Administrata Federale e Aviacionit e SHBA-së (FAA) bëri të ditur se ka hapur hetim për të sqaruar se çfarë ka ndodhur.
Të lidhura
None found
Sipas të dhënave të FAA-së, bëhet fjalë për fluturimin 948, i cili ishte nisur nga Las Vegasi me destinacion Nju Jorkun. Piloti raportoi se mjeti fluturues u godit nga një dron në rreth 3,000 këmbë lartësi, ose afërsisht 1,000 metra, teksa avioni ndodhej në fazën e fundit të afrimit për ulje në JFK, rreth orës 07:15 sipas kohës lokale të së hënës.
JetBlue konfirmoi nga ana e saj se ekuipazhi kishte sinjalizuar një “kontakt të mundshëm me dron”. Megjithatë, kompania sqaroi se ulja u krye pa asnjë problem, pasagjerët zbritën normalisht dhe avioni u nxor përkohësisht nga shërbimi për t’iu nënshtruar kontrollit teknik.
Si FAA, ashtu edhe kompania ajrore, thanë se pas verifikimeve të teknikëve nuk u konstatuan dëmtime në avion dhe as nuk u identifikuan gjurmë që të tregonin një përplasje.
Mediat amerikane publikuan edhe bisedat mes pilotit dhe kullës së kontrollit. “Nuk munda të flisja gjatë afrimit, por u përplasëm me një dron”, dëgjohet të thotë piloti. Kontrollori i trafikut ajror e pyeti menjëherë nëse kishte ndodhur vërtet përplasja, ndërsa piloti u përgjigj: “Po, na goditi pak mbi kabinën e pilotit.”
FAA thekson se çdo muaj regjistrohen mbi njëqind raportime për dronë që fluturojnë pranë aeroporteve në SHBA. Autoriteti ka vendosur ndalim të rreptë për përdorimin e tyre afër aeroporteve, avionëve, helikopterëve dhe objekteve të ndjeshme, ndërsa shkelësit mund të përballen me gjoba të mëdha dhe ndëshkime penale, deri edhe me burg.
Çështja e dronëve është përfshirë edhe në masat e sigurisë për Kupën e Botës 2026. Sipas Andrew Giuliani, drejtues i Shtëpisë së Bardhë për organizimin e turneut, deri në mesin e kompeticionit autoritetet kanë zbuluar 1,139 dronë në zona të ndaluara dhe kanë neutralizuar më shumë se 300 prej tyre.
