Pas njoftimit të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM) se nga 26 qershori 2026 deri më 30 qershor 2026 priten temperatura të larta maksimale ditore, Instituti i Shëndetit Publik ka bërë thirrje që të respektohen masat mbrojtëse dhe parandaluese gjatë kësaj periudhe.
Të lidhura
None found
Nga ISHP sqarojnë se kur temperatura e ajrit në mjedis afrohet ose e kalon temperaturën normale të trupit, që është rreth 36.7 gradë Celsius, organizmi e ka më të vështirë të ftohet. Sipas tyre, kjo vështirësi shtohet edhe më shumë kur lagështia relative e ajrit është e lartë, pasi djersa avullon me më shumë vështirësi dhe si pasojë trupi nuk arrin të ulë temperaturën lehtësisht.
Nëse trupi mbinxehet ose nuk arrin të ruajë ekuilibrin e temperaturës, mund të shfaqen dobësi, tharje e gojës, marramendje, të përziera, djersitje e tepërt, lëkurë e thatë dhe dhimbje barku. ISHP thekson se me përkeqësimin e të ashtuquajturës “goditje nga dielli”, mund të paraqiten edhe shenja të tjera si ndërprerja e djersitjes, lëkurë shumë e nxehtë, konfuzion (marramendje), rrahje të shpejta të zemrës, vështirësi në frymëmarrje, humbje ndjenjash dhe madje edhe vdekje.
Sipas Institutit, grupet më të rrezikuara janë personat mbi 60 vjeç, gratë shtatzëna, fëmijët, personat e cenueshëm socialisht dhe punëtorët që punojnë në natyrë.
Po ashtu, në rrezik më të madh janë edhe personat me sëmundje kronike, përfshirë ata me sëmundje kardiovaskulare, sëmundje të mushkërive dhe veshkave, diabet, sëmundje mendore, obezitet, si dhe personat që marrin terapi që rrit urinimin, si diuretikë dhe disa ilaçe për epilepsinë, sëmundja e Parkinsonit, etj., thonë nga ISHP.

