Një incident i rëndë në pishinën e një hoteli në Santa Susanna, në Katalonjë, ka ngjallur reagime të forta si në Spanjë ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar, pasi gjatë përleshjes mbeti e lënduar një vajzë 13-vjeçare.
Ngjarja u regjistrua në një resort turistik në Costa Brava, ku sipas dyshimeve, gjithçka nisi nga një debat për përdorimin e një shezlongu dhe më pas u kthye me shpejtësi nga një përplasje verbale në konflikt fizik mes pushuesve.
Të lidhura
None found
Sipas raportimeve, një prej burrave të përfshirë në sherr ka goditur 13-vjeçaren, duke i shkaktuar plagë në fytyrë dhe thyerje të hundës. Në videot e shpërndara në rrjetet sociale shihen momente paniku, teksa turistët përpiqen të ndërhyjnë për të ndarë palët, ndërsa fëmijët largohen të trembur nga zona e pishinës.
Më tej, situata doli edhe më shumë jashtë kontrollit kur në përleshje u përfshinë persona të tjerë, duke krijuar kaos në ambientet e hotelit. Për arsye sigurie, disa prej klientëve u evakuuan, ndërsa të tjerë u mbyllën në dhomat e tyre.
E mitura u dërgua me ambulancë në një spital të zonës, ku mori ndihmën mjekësore të nevojshme për dëmtimet që kishte pësuar. Pas incidentit, familja e saj u largua nga hoteli.
Autoritetet në Katalonjë kanë hapur hetim për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, duke shqyrtuar pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e personave që ndodheshin aty. Deri në këto momente nuk raportohet për arrestime.
