Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Rahovec ka dalë me kërkesë që partia të hyjë në zgjedhje të përgjithshme të brendshme, nga niveli i nëndegëve e deri te kryetari i LDK-së, pas shqyrtimit të rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit 2026.
Në një njoftim publik, kjo degë ka bërë të ditur se gjatë mbledhjes së mbajtur më 26 qershor është analizuar performanca zgjedhore si në Komunën e Rahovecit, ashtu edhe në nivel të Republikës së Kosovës.
Të lidhura
None found
“Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Rahovec, në mbledhjen e mbajtur më 26.06.2026, ndër të tjera e analizoi rezultatin zgjedhor në zgjedhjet e 7 qershorit 2026, si në Komunën e Rahovecit, ashtu edhe në nivel të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Sipas Degës së LDK-së në Rahovec, Kryesia ka marrë vendim unanim që, duke marrë përgjegjësinë për rezultatin e arritur, partia duhet t’i nënshtrohet një procesi të përgjithshëm zgjedhor.
“Me unanimitet të anëtarëve prezentë të Kryesisë së Degës, vendos që duke marrë përgjegjësinë për këtë rezultat zgjedhor, Lidhja Demokratike e Kosovës duhet t’i hyjë procesit të përgjithshëm zgjedhor, nga nëndegët deri tek Kryetari i LDK-së”, thuhet më tej.
Kjo degë ka vlerësuar se pritshmëritë e strukturave dhe aktivistëve të saj për zgjedhjet e fundit kanë qenë më të larta, ndërsa rezultati i arritur është konsideruar i pamjaftueshëm.
“Në zgjedhjet e 7 qershorit 2026, pritjet e Degës dhe aktivistëve ishin për një rezultat më të mirë të LDK-së. Duke pasur parasysh rezultatin zgjedhor të dobët në përgjithësi dhe në veçanti në Rahovec, Dega e LDK-së në Rahovec vlerëson si të domosdoshme mbajtjen e zgjedhjeve në të gjitha nivelet”, thuhet në reagim.
Sipas këtij subjekti politik në Rahovec, forcimi i LDK-së mund të arrihet vetëm përmes një procesi gjithëpërfshirës, statutar dhe transparent.
“Vetëm përmes këtij procesi të tillë gjithëpërfshirës, statutar dhe transparent do të garantohej një LDK e fortë”, përfundon njoftimi.
