Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dalë me një sqarim pas raportimeve të publikuara në disa media për mungesën e Kosovës në Samitin e NATO-s, duke bërë të ditur se arsyeja lidhet me pozitën e saj aktuale në arenën ndërkombëtare.
Sipas MPJD-së, Republika e Kosovës nuk përfshihet në Samitet e NATO-s si shtet pjesëmarrës, pasi ende nuk është anëtare e Aleancës Veri-Atlantike dhe njëkohësisht nuk bën pjesë në Programin e Partneritetit për Paqe.
Të lidhura
None found
Ministria ka bërë të ditur se Samitet e NATO-s zhvillohen si takime të udhëheqësve të shteteve dhe qeverive të 32 vendeve anëtare, ndërsa në raste të caktuara në to marrin ftesë edhe partnerë të organizatës, në varësi të agjendës së samitit.
Në reagim thuhet gjithashtu se në samitin e ardhshëm janë ftuar disa shtete partnere nga rajoni Indo-Paqësor, si edhe Ukraina, ndërsa Kosova deri më tani nuk ka qenë pjesë e listës së vendeve pjesëmarrëse në këtë format.
MPJD ka rikujtuar po ashtu se edhe në të kaluarën përfaqësimi i Kosovës në veprimtari të ndërlidhura me Samitin e NATO-s ka ndodhur vetëm në kuadër të ngjarjeve anësore të organizuara nga partnerë ndërkombëtarë, e jo në punimet e vetë samitit.
Në përmbyllje të reagimit, Ministria ka ritheksuar angazhimin e Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me NATO-n dhe për çuarjen përpara të objektivit strategjik për anëtarësim të plotë në Aleancë.
