Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish këtë të enjte në rrjetet sociale, duke iu referuar protestuesve. Ai thekson se vëmendjen nuk e ka te protestuesit, por te përfituesit, të cilët i përshkruan si shpirtra të korruptuar nga motive të dobëta, si edhe patriotë e aktivistë të shtirur.
Sipas Ramës, këta e shndërruan protestën në një “ujdhesë zvarranikësh”, ndërsa shton se, sipas tij, ata po u përcjellin të rinjve pjesëmarrës helmin e një urrejtjeje ndotëse për Shqipërinë.
Të lidhura
None found
Kryeministri ka shpërndarë edhe dy fotografi, duke shkruar se në njërën prej tyre ndodhet një person që kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllanë e vrarë, të cilin ai e cilëson si kasapin e regjimit të Teheranit. Ai shton se personi tjetër në foto është kryeshërbëtore e ajatollahëve.
“Mos u merr me protestuesit… Jo, asnjëherë me protestuesit, po me përfituesit patjetër
Përfitues të turlillojshëm, shqiptarë pa din e as iman, shpirtra të korruptuar nga motive të dobëta, patriotë të shtirur, aktivistë të shtirur, besimtarë të shtirur, që në teatrin e maskave të bulevardit i ka nxjerrë paraja e huaj, këneta e vendit apo të dyja bashkë, e kthyen protestën e nisur për natyrën në një ujdhesë zvarranikësh që lëvrijnë mes të rejave e të rinjve të mbetur, duke i lëpirë e pickuar njëkohësisht dhe duke shpërndarë në çdo drejtim helmin e një urrejtjeje ndotëse për Shqipërinë
Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës”, shkruan Rama.
