Një operacion i gjerë i Prokurorisë së Posaçme ka çuar në lëshimin e 10 urdhërarresteve për emra të njohur të krimit dhe trafikut të kokainës.
Detaje mbi mënyrën e funksionimit të këtij grupi, si edhe mbi skemën e pastrimit të parave përmes investimeve në Shqipëri, janë bërë publike nga “Në Shënjestër”.
Të lidhura
None found
Paratë e përfituara nga trafiku ndërkombëtar i drogës, ashtu si në çdo veprimtari tjetër kriminale, ishin fshehur me kujdes.
Këta emra nuk ishin të panjohur për opinionin publik, por operacioni i finalizuar nga SPAK zbuloi edhe pasuritë që ata kishin maskuar përmes personave të quajtur prestanome, duke i vendosur ato në sekuestro.
Për vite me radhë, ata ishin identifikuar si bosë shqiptarë të drogës, të aftë për të lëvizur tonelata lëndësh narkotike nga Amerika e Jugut drejt Evropës. Në shumë raste, ata kishin përmbytur tregun evropian me kokainë. Ndërkohë, në Shqipëri kishte pak të dhëna se ku dhe në ç’mënyrë ishin investuar miliardat e tyre. Tashmë, jo vetëm që kanë rënë në rrjetën e drejtësisë, por janë zbuluar edhe rrugët e përdorura për investimin e parave të pista.
Në qendër të operacionit të fundit të SPAK, ku u ekzekutuan 10 urdhërarreste, ishte goditja e një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Mes personave për të cilët është caktuar masa e arrestit spikasin emrat e Dritan Gjikës, Eldi Dizdarit dhe Armando Pacanit.
Sipas të dhënave, një pjesë e fitimeve nga droga ishte investuar në Shqipëri, kryesisht në zona të kërkuara bregdetare. Në këtë veprimtari, ata dyshohet se ndihmoheshin nga ndërtues, të cilët më shumë se sa si sipërmarrës, shërbenin si pastrues të parave të pista të këtyre personave. Për shkak të profilit të tyre, këta individë nuk mund të paraqiteshin vetë si investitorë me emrat e tyre në Shqipëri.
“SPAK, në kuadër të procedimit penal nr. 138 të vitit 2020, ka finalizuar një operacion kompleks kundër një grupi të strukturuar kriminal, i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimin e produkteve të veprës penale, të dyshuar për veprat penale: ‘Trafikim i lëndëve narkotike’, ‘Pastrim i produkteve të veprës penale’, ‘Grup i strukturuar kriminal’ dhe ‘Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grup i strukturuar kriminal’.
Ku ka caktuar masën e sigurimit personal shtrëngues, ‘Arrest në burg’, për 10 shtetas shqiptarë konkretisht; Nikoll Bibaj, Isa Aliu, Sokol Bibaj, Florjan Musaj, Armando Pacani, Denis Matoshi, Naldi Yzeiraj, Oklid Aliu, Dritan Gjika, Shpëtim Aliu. Operacion gjatë të cilit Policia e Shtetit ushtroi kontrolle të banesave dhe në vende të tjera ku gjatë operacionit u ekzekutua masa e sigurimit ndaj personit nën hetim Florian Musaj. Ndërsa vazhdojnë kërkimet për gjetjen dhe arrestimin e 2 personave të tjerë, të cilët dyshohet se ndodhen në Shqipëri, ndërsa 7 persona nën hetim nuk ndodhen në Shqipëri.
Ndërkohë që janë zhvilluar 23 kontrolle ndaj personave, banesave, zyrave të shoqërive tregtare dhe personave fizikë”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Ky aksion, megjithatë, nuk synonte vetëm goditjen e trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe të personave të lidhur me të, por edhe evidentimin e pastrimit të parave që, sipas hetimeve, janë investuar në Shqipëri gjatë 10 viteve të fundit. Sipas komunikatës së SPAK, këto investime janë të shumta dhe të shpërndara në të gjithë vendin.
“Gjatë viteve 2019-2021, ky grup ka operuar në Amerikën Latine, Brazil, Belgjikë dhe Holandë. Nga hetimet e kryera është krijuar dyshimi se të hetuarit kanë trafikuar për periudhën e mësipërme të paktën 50 ton kokainë. Nga të cilat janë sekuestruar në total 8 ton e 960 kg lëndë narkotike e llojit kokainë.
Nga hetimet është provuar se një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës janë transferuar në Shqipëri, në formën monetare ‘cash’ për të shmangur sistemin bankar në fazën e parë dhe më pas janë investuar në pasuri të paluajtshme, në krijimin dhe blerjen e aksioneve të kompanive tregtare, shoqëri të ndryshme kryesisht në fushën e ndërtimit, hotelerisë, konsulencës etj”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme.
