Pamjet tregojnë çastin tragjik kur një efektiv policie humbi jetën gjatë një operacioni të zhvilluar ditën e djeshme në Montreal, Kanada. Nga të shtënat e forcave të rendit mbeti i vrarë edhe personi i dyshuar si autor.
Mediat lokale raportojnë se ngjarja u regjistrua gjatë një ndërhyrjeje të policisë, ku situata degradoi në një përplasje me armë zjarri. Deri tani, autoritetet nuk kanë zbuluar ende rrethanat e plota që sollën këtë incident me pasojë fatale.
Të lidhura
None found
Pas ngjarjes, autoritetet shpërndanë një alarm emergjence për banorët e zonës, me njoftimin se i dyshuari ishte i armatosur dhe konsiderohej i rrezikshëm. Qytetarëve u është kërkuar të mos i afroheshin zonës deri në përfundim të operacionit.
Dëshmitarët që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes përshkruan skena paniku, ndërsa thanë se u dëgjuan dhjetëra të shtëna. Njëri prej tyre tregoi se pa të thyheshin xhamat e një ndërtese në katin e gjashtë dhe se dëgjoi rreth 30 të shtëna.
“Dëgjova plumba që kalonin shumë pranë meje. Ishte një situatë e frikshme”, u shpreh dëshmitari për mediat lokale.
Më pas u bë e ditur se i dyshuari ishte neutralizuar nga policia, por një oficer ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra gjatë ndërhyrjes.
Hetimet kanë nisur për të sqaruar plotësisht ngjarjen dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në shkëmbimin e armatosur. Për momentin, nuk janë publikuar detaje të tjera lidhur me identitetin e viktimave apo motivet e incidentit.
