Albi Qamili, nënkryetar i Komunës së Tetovës, ka reaguar me tone të forta ndaj deklaratave të gazetarit nga Kosova, Berat Buzhala, duke thënë se ai dhe disa emra të tjerë publikë nga Kosova po sulmojnë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, me theks të veçantë Tetovën, transmeton Zyrtare.net.
Në reagimin e tij publik, Qamili shprehet se e njëjta strukturë që, sipas tij, prej vitesh ka goditur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tani është vënë në lëvizje kundër shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Të lidhura
None found
Ai përmend me emër gazetarin Berat Buzhala, analistin Blerim Latifi dhe persona të tjerë, për të cilët pretendon se kanë qëndruar në heshtje përballë çështjeve të mëdha që kanë prekur shqiptarët në vend, duke përfshirë rastet “Monstra”, “Almiri”, “Alfa”, “Sopoti”, Enciklopedia maqedonase dhe ngritjen e monumentit të Car Dushanit në Shkup.
Qamili ndalet edhe te iniciativa “Open Balkan”, për të cilën thotë se nuk pati reagim prej tyre as në kohën kur, sipas tij, ky projekt paraqitej si vlerë dhe kur presidenti serb Aleksandar Vučić mirëpritej nga politikanë shqiptarë.
“Por gjejnë kohë t’i ofendojnë shqiptarët e Tetovës, vetëm se nuk iu nënshtruan Ali Ahmetit”, shkruan Qamili në reagimin e tij.
Në përmbyllje, nënkryetari i Tetovës thekson se “Tetova e dy universiteteve dhe e qëndresës kombëtare është shkollë politike për Buzhalën dhe të ngjashmit”, ndërsa shton se qyteti e ka dëshmuar vullnetin e vet politik në pesë ciklet e fundit zgjedhore dhe se do ta tregojë këtë përsëri sa herë të jetë e nevojshme.
