Partia Demokratike i ka drejtuar Kuvendit një kërkesë urgjente për zhvillimin e një mocioni me debat në seancë plenare, me argumentin se protestat e pandërprera qytetare dhe shqetësimet që lidhen me transparencën e qeverisë duhet të trajtohen menjëherë në Parlament.
Kjo kërkesë është firmosur nga kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, dhe është paraqitur në prag të përfundimit të punimeve të Kuvendit për këtë sesion parlamentar, që është planifikuar për të enjten.
Të lidhura
None found
Sipas demokratëve, kërkesat e paraqitura nga protestuesit në tubimet e fundit qytetare kanë interes të lartë publik dhe kërkojnë përgjigje institucionale përmes një debati parlamentar.
Në dokumentin e dorëzuar në Kuvend, theksohet se protestuesit kanë ngritur pesë kërkesa kryesore: dorëheqjen e qeverisë, shfuqizimin e kuadrit ligjor për investimet strategjike, anulimin e kuadrit ligjor të njohur si “Paketa e Maleve”, shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore shqiptare.
PD nënvizon se bëhet fjalë për tema që opozita i ka ngritur prej kohësh në Kuvend, ndërsa për to ka depozituar edhe nisma konkrete ligjore për shfuqizimin e akteve përkatëse.
Në kërkesën që u është drejtuar Konferencës së Kryetarëve dhe drejtuesve të Kuvendit, demokratët vlerësojnë se një debat në Parlament është i nevojshëm për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie përballë shqetësimeve të shprehura nga qytetarët.
Po ashtu, Partia Demokratike kujton se edhe më parë ka kërkuar zhvillimin e një mocioni me debat lidhur me raportin e fundit të Parlamentit Europian dhe ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke theksuar se gjetjet dhe rekomandimet e atij raporti meritojnë diskutim të veçantë në Kuvend.
Tashmë mbetet të shihet nëse mazhoranca do ta pranojë kërkesën e opozitës për zhvillimin e këtij mocioni me debat përpara mbylljes së sesionit parlamentar, apo nëse kjo çështje do të lihet për sesionin e ardhshëm.
