Policia e Kosovës ka konfiskuar një sasi të madhe armatimi në thellësi të Zubin Potokut, gjatë një operacioni të zhvilluar pranë kufirit me Serbinë. Më shumë hollësi sjell kronika e përgatitur nga gazetari Lindrit Zejnullahu.
Bëhet fjalë për një zonë malore, ku lëvizja është e vështirësuar për shkak të terrenit.
Të lidhura
None found
Megjithatë, kjo nuk e pengoi Policinë e Kosovës që të realizojë një aksion të rëndësishëm në afërsi të kufirit me Serbisë.
Në disa fshatra të Zubin Potokut, autoritetet policore kanë hasur në sasi të shumta armatimi.
Në tri raste, Policia e Kosovës ka bërë të ditur edhe materialet e konfiskuara në këto objekte.
“Rasti I: 1 pushkë M48; 5 karikatorë të armës së gjatë të kalibrit 7.62 mm; 151 fishekë të kalibrit 7.62 mm; Pjesë të uniformës së kamufluar; Bateri ndriçuese”, thuhet nga Policia.
Një tjetër aksion për konfiskimin e armëve është zhvilluar edhe në një fshat tjetër të Zubin Potokut.
“Me datën 21.06.2026, rreth orës 19:00, njësitë policore kanë kryer kontroll në një objekt të pabanuar në fshatin Qeçevë, Zubin Potok, pasi ishte pranuar informacion se në atë lokacion mund të gjendeshin armë dhe mjete të tjera ilegale. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe janë konfiskuar: 1 pushkë M48 me bajonetë; 11 fishekë të së njëjtës armë; 33 fishekë të armës së gjatë të kalibrit 7.62 mm; Dy makina (mjete pune) për mbushjen e fishekëve të armëve të gjuetisë; Rreth 200 gramë barut”, bëhet e ditur nga PK.
Hetimet për këto raste po vazhdojnë me intensitet, ndërsa deri më tani nuk është raportuar për të arrestuar.
Që nga sulmi terrorist në Banjskë, në shtator të vitit 2023, Policia e Kosovës ka zbuluar në veri një sasi të madhe armatimi.
Disa nga këto armë ishin vlerësuar se mund të kenë qenë pjesë e organizimit të atij sulmi.
