Ndeshja mes Paraguait dhe Turqisë në Kupën e Botës 2026 solli një episod të rrallë, ku në qendër të vëmendjes ishte mesfushori paraguajan Matias Galarza.
Ai u bë vendimtar për skuadrën e tij me golin e fitores, por pas mbylljes së takimit, diskutimet nuk u përqendruan vetëm te paraqitja e tij në fushë.
Të lidhura
None found
Gjatë një përplasjeje mes futbollistëve, arbitri i ndeshjes Ivan Barton humbi orën e dorës.
Ora përfundoi në barin e stadiumit, ku u gjet nga Galarza, i cili e mori dhe madje e vendosi në kyç, duke vazhduar të luante për disa minuta me orën e gjyqtarit në dorë.
Videoja e këtij momenti nisi të qarkullonte me shpejtësi në rrjetet sociale dhe ngjalli shumë reagime nga tifozët, të cilët e përshkruan situatën si një nga skenat më të veçanta dhe më argëtuese të këtij Botërori.
Në fund nuk pati asnjë problem, pasi ora iu rikthye arbitrit Barton, ndërsa Galarza mbeti protagonist jo vetëm për golin që vulosi fitoren, por edhe për këtë ngjarje të pazakontë që i dha një tjetër ngjyrim sfidës Paraguay-Turqi.
