Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmë në natën finale të Turneut Tradicional të Futbollit “Java e Dëshmorëve të Hasit”, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani. Me këtë rast, ai theksoi se “Qeveria do të jetë mbështesë çdo iniciativë sportive”.
Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, Kurti u shpreh se dëshmorët janë të vendosur në themelet e shtetit dhe në rrënjët e lirisë së Kosovës.
Të lidhura
None found
“Për ta përmbyllur finalen e Turneut Tradicional të Futbollit “Java e Dëshmorëve të Hasit” këtu në Kodrën e Pajtimit, s’ka dyshim që është më shumë se një turne sportiv ky në të cilin po marrim pjesë bashkë. Është një akt kujtese, është shprehje mirënjohje, dhe dëshmi që sakrifica e brezave të tërë vazhdon të jetojë në vetëdijen kolektive të shoqërisë e të popullit tonë, dhe ne dëshirojmë t’i promovojmë vlerat e shëndosha edhe për brezat e ri e për ata që do të vijnë pas nesh”, tha kryeministri në detyrë Kurti.
Ai u bëri thirrje të rinjve që të angazhohen sa më shumë në sport, ndërsa nënvizoi se Qeveria do t’u qëndrojë pranë në nisma sportive dhe jo vetëm.
“Të nderuar organizatorë të “Javës së Dëshmorëve në Has”, dëshmorët ndodhen në themelet e shtetit tonë. Ndodhen në rrënjët e lirisë tonë. Andaj ne ata kurrë nuk i harrojmë, gjithmonë i përkujtojmë sepse amanetet, idealet e tyre, na prijnë drejt së ardhmes, ndërkaq gjaku i tyre është ai i cili na mban të fuqishëm edhe historinë tonë, por edhe të tashmen tonë”, tha Kurti.
