Një tren i metrosë doli nga shinat pasditen e kësaj të premteje në Stamboll, duke shkaktuar momente paniku te udhëtarët.
Mediat turke raportojnë se incidenti ka ndodhur në linjën M4, që lidh Kadıkoy me Aeroportin Sabiha Gokçen. Ngjarja u regjistrua pranë stacionit Bostanci, ndërsa deri më tani bëhet e ditur se tre persona kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore.
Të lidhura
None found
Menjëherë pas ngjarjes, pasagjerët u evakuuan, duke dalë vetë nga vagonët dhe duke ecur në tunel në drejtim të stacionit më të afërt. Në vendin e incidentit shkuan pa vonesë zjarrfikësit, ekipet e emergjencës dhe specialistët e metrosë.
Të dhënat paraprake tregojnë se dalja nga shinat mund të jetë shkaktuar nga një defekt teknik në mekanizmin e ndërrimit të shinave.
Autoritetet e Metrosë së Stambollit kanë njoftuar se, për shkak të këtij problemi teknik, lëvizja në linjën M4 është kufizuar përkohësisht. Aktualisht, shërbimi po funksionon vetëm në segmentin mes stacioneve Maltepe dhe Aeroportit Sabiha Gokçen.
Ndërkohë, vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht shkaqet e incidentit.
