Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur procesin e rinumërimit në 185 vendvotime të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, në të cilat fituese doli Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Ndonëse KQZ-ja, në aspektin teknik, është e përgatitur t’i publikojë rezultatet përfundimtare, kjo nuk mund të ndodhë menjëherë. Zëdhënësi i institucionit, Valmir Elezi, bëri të ditur në një konferencë për media se fillimisht duhet të përfundojë afati ligjor prej 48 orësh, brenda të cilit palët mund të parashtrojnë ankesa lidhur me rinumërimin e përfunduar.
Të lidhura
None found
Ky afat fillon të premten në orën 12:00. Nëse paraqiten ankesa, ato do të trajtohen nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, si dhe nga Gjykata Supreme.
Sipas Elezit, gjatë këtij procesi do të hartohet edhe një raport që do të përmbajë gjetje të hollësishme nga rinumërimi.
Vendimi për rinumërim ishte marrë nga KQZ-ja në mbështetje të Rregullores zgjedhore për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, me synim adresimin e problemeve të mundshme dhe garantimin se numërimi është kryer me saktësi.
Sipas rezultateve preliminare, LVV-ja ka marrë 42.96 për qind të votave dhe pritet të sigurojë 53 ulëse në Kuvendin me 120 anëtarë. Krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar, kjo përfaqëson një numër më të vogël mandatesh, pasi atëherë partia e Kurtit kishte fituar 57 mandate.
Partia Demokratike e Kosovës është renditur e dyta me 21.13 për qind të votave dhe në legjislaturën e 11-të pritet të ketë 22 deputetë, po aq sa kishte edhe në legjislaturën e kaluar.
Si forcë e tretë ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës, me 17.60 për qind të votave, që përkthehen në 18 deputetë, nga 15 sa kishte në dhjetor.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila së fundi ka vendosur të njihet si Aleanca, ka marrë 7.16 për qind të votave dhe pritet të ketë shtatë deputetë, një më shumë se në dhjetor.
Sipas rezultateve preliminare, nëntë nga dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb i ka fituar Lista Serbe, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar. Një mandat i ka takuar partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Nga komunitetet joshumicës serbe, KDTP-ja ka siguruar dy mandate, ndërsa nga një mandat kanë marrë koalicioni Vakat, IRDK-ja, SDU-ja, NDS-ja, PSA-ja, PLE-ja, PREBK-ja dhe JGP-ja.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, pjesëmarrja ishte 37 për qind, çka shënon rënie krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit, kur dalja ishte rreth 45 për qind.
Pasi të shpallen rezultatet, ato duhet të certifikohen nga KQZ-ja. Vetëm pas këtij hapi hapet zyrtarisht rruga për formimin e institucioneve të reja.
Deputetët e rinj do të përballen me tri çështje kyçe: konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit të ri.
Për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë nevojitet shumica e thjeshtë prej 61 votash, të cilat LVV-ja mund t’i sigurojë bashkë me pakicat joserbe. Në rastin e presidentit, megjithatë, kërkohen dy të tretat e votave.
Zgjedhjet e 7 qershorit u mbajtën për shkak se deputetët nuk arritën ta zgjedhin pasardhësin e Vjosa Osmanit brenda afatit kushtetues, pasi ish të parës së vendit i kishte përfunduar mandati në prill.
Nga LVV-ja është thënë se, pas certifikimit të rezultateve, do të zhvillohen bisedime me partitë opozitare për krijimin e institucioneve. Në anën tjetër, partitë ish-opozitare kanë theksuar nevojën për një marrëveshje politike që do ta kapërcente ngërçin.
Disa muaj më parë, diskutimet për çështjen e presidentit përfunduan pa rezultat. Në atë periudhë, LVV-ja kishte ofruar disa propozime për LDK-në dhe PDK-në, por ato ishin cilësuar të papranueshme nga të dyja këto parti.
Kurti ka thënë se shpreson që kësaj radhe rrethanat të jenë ndryshe sa u përket bisedimeve për presidentin.
“Ju e dini që në këtë pranverë, si Qeveri kemi bërë oferta të jashtëzakonshme për opozitën. Ne kemi propozuar, ata kanë refuzuar”, ka deklaruar ai ditë më parë.
Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para, ose me 61 vota në rundin e tretë, por që seanca të mund të mbahet, në sallë duhet të jenë të pranishëm 80 deputetë.
