VLEN vlerëson se miratimi në Kuvend i ndryshimeve dhe plotësimeve në Statutin e Universitetit “Nënë Tereza” shënon nisjen e një etape të re në zhvillimin e universitetit publik në gjuhën shqipe.
Sipas tyre, ky hap i ri i fuqizon kapacitetet institucionale të universitetit, pasuron ofertën akademike dhe hap mundësi të reja për studentët shqiptarë, por edhe për të gjithë të rinjtë që vendosin ta ndërtojnë të ardhmen përmes dijes dhe një arsimi cilësor.
Të lidhura
None found
Me këto ndryshime, Universiteti “Nënë Tereza” e çon më tej organizimin e vet akademik duke përfshirë Fakultetin Juridik, Fakultetin Ekonomik dhe Fakultetin e Shkencave Humane, çka e konsolidon edhe më shumë rolin e tij si qendër e arsimit të lartë, e kërkimit shkencor dhe e zhvillimit profesional.
Në të njëjtën kohë, theksohet se universiteti e forcon edhe dimensionin ndërkombëtar përmes harmonizimit të standardeve akademike dhe dhënies së diplomave në gjuhën shqipe, maqedonase dhe angleze, duke zgjeruar mundësitë për mobilitet dhe konkurrueshmëri në tregun evropian të punës.
VLEN nënvizon se mbetet e angazhuar që arsimi të jetë një prej shtyllave themelore të zhvillimit kombëtar. Sipas këtij subjekti, investimi në Universitetin “Nënë Tereza” përfaqëson investim te rinia, te dija, te profesionalizmi dhe te e ardhmja e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“24 vite u fol për avancimin e arsimit të lartë në gjuhën shqipe. Sot, për 24 muaj me vendime konkrete, po ndërtojmë institucione më të forta, më funksionale dhe më të përgatitura për sfidat e së ardhmes”, thonë nga VLEN./Telegrafi/
