Më 17 qershor 2018, Shkupi dhe Athina vulosën Marrëveshjen e Prespës, duke mbyllur një mosmarrëveshje shumëvjeçare mes dy shteteve. Ceremonia e nënshkrimit u mbajt në fshatin e vogël Nivitsi (Psarades), pranë brigjeve të Liqenit të Prespës.
Dokumenti u firmos nga ministrat e atëhershëm të Punëve të Jashtme të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikola Dimitrov dhe Nikos Kotzias. Në këtë ngjarje morën pjesë edhe kryeministrat e atëhershëm Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras, ndërmjetësi i negociatave Matthew Nimetz, ish-Komisioneri Evropian për Zgjerim Johannes Hahn, ish-Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë Federica Mogherini, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të të dy vendeve.
Të lidhura
None found
Pas tetë muajsh nga nënshkrimi, marrëveshja mori miratimin në Kuvendin e Maqedonisë dhe në Parlamentin Grek. Më 12 shkurt 2019, ajo nisi zyrtarisht të zbatohet, ndërsa Republika e Maqedonisë u quajt Republika e Maqedonisë së Veriut, shtetësia u përcaktua si maqedonase/qytetare e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa gjuha si maqedonase.
Marrëveshja shkaktoi protesta në të dy anët e kufirit. Në vend u zhvillua edhe një referendum i pasuksesshëm, me pyetjen: “A jeni pro anëtarësimit në BE dhe NATO duke pranuar marrëveshjen midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?” Në referendum morën pjesë vetëm 36.91 përqind e votuesve, prej të cilëve 91.47 përqind votuan “pro”, ndërsa 5.64 përqind “kundër”.
Në atë periudhë, shumë qytetarë njoftuan se do ta bojkotonin referendumin. Gjatë fushatës referendare u evidentua edhe një angazhim i madh ndërkombëtar, ku shumë liderë shtetesh dhe drejtues të BE-së u bënë thirrje qytetarëve maqedonas të pranonin ndryshimin e emrit, duke premtuar nisjen e negociatave me Unionin, gjë që nuk ka ndodhur deri më sot.
Në praktikë, marrëveshja i hapi rrugë që Greqia të mos vendoste veto për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe përfshiu edhe zotimin që të mos bllokonte pranimin e Maqedonisë në BE.
