Në një konferencë, ish-deputeti i PD, Ervin Salianji, ka hedhur akuza për manipulim të procesit të votimit për kreun e Partisë Demokratike, duke pretenduar se shifrat e pjesëmarrjes janë ‘fryrë’ artificialisht në disa degë të vendit.
Salianji deklaroi se në degën Durrës 1 janë raportuar 321 votues nga 939 anëtarë të deklaruar, ndërsa sipas monitorimit të kryer nga mbështetësit e tij, kanë votuar realisht vetëm 269 persona.
Të lidhura
None found
Ai ngriti shqetësime edhe për degët e vogla, duke pretenduar se aty manipulimi ka qenë më i madh.
“Në Durrës unë kam deklaruar ditën që u zhvillua farsa që janë votuar 321 anëtarë nga 939 të deklaruara, flasim për degën Durrës 1. Nga numërimi që i kemi bërë një për një gjatë gjithë orëve, 11 orë, e shikoni sa hyjnë dhe dalin. Kanë votuar gjithsej 269 persona, një pjesë e madhe e tyre kanë shkuar për të votuar kundër, për të vendosur emrin tim, për të parë edhe pjesën tjetër, sa reale do të ishtë numërimi i votës kundër.
E njëjta situatë në Korçë, janë votuar 165 persona, në Dibër 194, në Lezhë 345, Elbasan 256, Berat 141, Vlorë 210, Fier 220 dhe Shkodër 471.
Ka ndodhur një element tjetër që është i paimagjinueshëm. Degët e mëdha të PD që kanë qenë të monitoruara me kamera prej nesh kanë këtë rezultat. Degët e vogla, që nuk janë qendër qarku, psh në degën e Maliqit në Korçë nga 45 persona që kanë shkuar për të votuar, e kanë çuar numrin e anëtarësisë së votuar 800 e kusur njerëz. Pra manipulimi tek degët e vogla është në përmasa të mëdha sepse e dinin që nuk ka kamera”, tha ish deputeti.
Salianji shtoi se Partia Demokratike ndodhet “në dëshpërim”, ndërsa përgjegjës bëri edhe kolegët demokratë që sot heshtin. Sipas tij, Berisha është i refuzuar nga demokratët.
“Realiteti politik tregon refuzim të qartë të Berishës nga demokratët. Sali Berisha është braktisur nga demokratët dhe nuk pranon garë. Pavarësisht se e kam propozuar që ta ndryshojmë këtë nenin e statutit dhe të hyjmë në garë në kushtet e barabarta do të humbte në mënyrë dërrmuese. Jemi të zhytur në dëshpërim për shkak të pengmarrës që i ka bërë Berisha për interesa personale PD. Unë po e them sot, do të jetë cilido përgjegjës prej kolegëve që sot hesht. PD më pak sesa një vit nga sot do të jetë në fushatë elektorale, nuk e di si do dalin para demokratëve dhe çfarë do ti thonë që PD të jetë fituese përballë Edi Ramës”, tha Salianji.
