Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka dërguar në Prokurorinë e Tiranës materialet hetimore për dy efektivë të Policisë së Shtetit, të dyshuar për “Shpërdorim detyre”, sipas nenit 248 të Kodit Penal.
Në këtë procedim janë përfshirë K. M., Ndihmës Specialist për Hetimin e Krimit në Komisariatin nr. 4, si dhe S. K., Specialist për Hetimin e Krimit në të njëjtin komisariat.
Të lidhura
None found
Hetimet nisën pas një raportimi në media, ku u bë e ditur se në një pallat në ndërtim në rrugën “Llukë Kacaj”, Njësia Administrative nr. 4, ishin ngritur dy kate mbi lejen e miratuar nga Bashkia Tiranë.
Verifikimet e AMP treguan se objekti ishte ndërtuar përtej kufirit të lejes, duke kaluar pragun ligjor prej 10% që sjell konfiskim për interes publik, sipas Aktit Normativ nr. 8, datë 01.10.2025.
AMP Rajoni Tiranë ka mbledhur dokumentacionin dhe dëshmitë e strukturave policore, ndërsa pas veprimeve paraprake ka vendosur ta referojë çështjen në prokurori. Hetimet janë ende në zhvillim për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit.
