Shtyhet vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, ja kur do të jepet verdikti përfundimtar

Vendimi përfundimtar në rastin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë është shtyrë për më 20 korrik 2026.

Konfirmimin për shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit e ka bërë për RTK-në avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Luka Mishetiç.

Të lidhura

None found

“Mund ta konfirmoj se kjo është e saktë”, ka deklaruar Mishetiç në përgjigjen e tij në pyetjen nëse raportimi për shtyrjen e vendimit për 20 korrik është i saktë.

Fillimisht, vendimi përfundimtar ishte paraparë të shpallej më 19 maj, brenda afateve të përcaktuara procedurale.

Megjithatë, sipas Rregullores së Gjykatës Speciale, trupi gjykues ka në dispozicion 90 ditë për shpalljen e verdiktit, me mundësi shtyrjeje deri në 60 ditë shtesë.

Kësisoj epilogu i një prej proceseve më të rëndësishme gjyqësore në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së pritet të bëhet publik më 20 korrik 2026.


Shtuar 6.05.2026 08:37