Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar pas refuzimit të pranimit të dokumenteve të tij për kandidimin në garën për kryetar të PD-së, duke e cilësuar këtë vendim si një akt të paprecedentë.
Salianji ka theksuar se Partia Demokratike nuk mund të trajtohet si pronë personale dhe se vendimi ndaj tij nuk është thjesht procedural, por provë e qartë e mënyrës se si po trajtohet partia.
Të lidhura
None found
“Ky nuk është thjesht një vendim procedural. Është prova më e qartë se Partia Demokratike po trajtohet si pronë personale dhe jo si një aset publik i ndërtuar me sakrificë nga mijëra demokratë. Kur ndalohet gara, nuk mbrohet partia por mbrohen interesat e ngushta të një grupi që vetëm ka frikë: ka frikë nga vota, ka frikë nga drejtësia, ka frikë nga e kaluara”, shkruan ai.
Salianji shprehet se kjo situatë nuk është refuzim personal ndaj tij, por ndaj çdo demokrati që beson në një parti të hapur dhe uzurpim i funksioneve në parti.
Salianji: Partia Demokratike është pasuri e shqiptarëve. Ajo nuk mund të jetë pronë private. Sot u konsumua një akt i padëgjuar ndonjëherë në historinë politike: refuzimi i pranimit të dokumenteve të kandidimit për kryetar të Partisë Demokratike.
Ky nuk është thjesht një vendim procedural. Është prova më e qartë se Partia Demokratike po trajtohet si pronë personale dhe jo si një aset publik i ndërtuar me sakrificë nga mijëra demokratë.
Kur ndalohet gara, nuk mbrohet partia por mbrohen interesat e ngushta të një grupi që vetëm ka frikë: ka frikë nga vota, ka frikë nga drejtësia, ka frikë nga e kaluara.
Unë nuk kam kërkuar privilegje. Kam kërkuar garë.
Nuk kam kërkuar emërim.
Kam kërkuar votë. Kjo është demokracia dhe vetëm kështu Partia Demokratike mund te rikthehet fituese!
Ky nuk është refuzim ndaj meje, por është refuzim ndaj çdo demokrati që beson se kjo parti duhet të jetë e hapur, konkurruese dhe fituese. Praktikisht është uzurpim i funksioneve!
Kjo është një betejë për parim, jo për post.
Dhe kjo betejë nuk mbaron sot.
Sepse Partia Demokratike është më e madhe se çdo individ që tenton ta mbajë peng”, shkruan Salianji.
