Aksioni ndaj “Call Center-ave”, Klodiana Lala: Fitimi mujor arrinte deri në 30 mln euro! Nuk funksionojnë pa lidhje të forta me Policinë e Shtetit

Gazetarja Klodiana Lala ka folur lidhur me aksionin e fundit të ndërmarrë ndaj disa Call Centera-ve në Tiranë që mashtronin qytetarët e huaj, ku deklaroi se hetimi është vënë në lëvizje nga autoritetet austriake, të cilat kanë ngritur alarmin pas një sërë ankesash të qytetarëve në Austri.

Në emisionin Studio24 në televizionin News24, Lala tha se pas rreth dy vitesh hetimesh, është arritur në përfundimin se ndërhyrja ishte e domosdoshme dhe para saj është kërkuar autorizim nga gjykata kompetente.

Lala theksoi se Call Center-ët nuk funksionojnë dot pa lidhje të forta me Policinë e Shtetit, ndërsa shtoi se aktiviteti i këtyre Call Center-ave ka pasur shtrirje të gjerë në vende si Kanadaja, Italia, SHBA, Spanja, Franca dhe Gjermania.

Më tej ajo tha se “Shqipëria është kthyer në një hambar të madh të Call Centera-ve. Fitimi mujor i përllogaritur arrinte deri në 30 milionë euro”.

“Hetimi është vënë në lëvizje nga autoritetet austriake. Autoritetet austriake kanë dhënë alarmin pas një sërë shqetësimesh që kanë dhënë qytetarët atje. Pas dy vitesh hetime është arritur në konkluzionin që autoritetet duhet të ndërhynin dhe para se të bëhej ndërhyrja duhej të merrej një autorizim në gjykatë.

Gjykata e Tiranës ka miratuar kërkesën e prokurorisë për 9 masa sigurie. 7 prej të cilave kanë qenë arrest me burg. Dy Të tjera kanë qenë detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit, për faktin se njëri rezultonte si financier dhe një zonjë rezultonte që ishte shtatzënë. Gjatë kontrolleve, janë konstatuar edhe persona të tjerë që kishin lidhje të drejtpërdrejtë me këto Call Centera. Pritet të vendosë prokurorja e çështjes se çfarë do ndodhë. Unë disa vite më parë ka kryer një investigim në lidhje me grupin e Amant Josifit dhe lidhej me Spanjën dhe tregonte se si funksiononte…

Ata i kërkonin një shumë ata nga Shqipëria ishte ngritur një mekanizëm i mirëfilltë kriminal. Pra kur një person kuptonte që ishte mashtruar, ata i bënin një thirrje të dytë dhe i kërkonin një shumë të dytë deri në 1 mln euro. Po ashtu shtrirja shumë e madhe e aktivitetit kriminal i këtyre call centerave ishte në Kanada, Itali, SHBA, Spanjë, Francë, Gjermani. Për herë të parë Europol, ka bashkëpunuar me Prokurorinë e Tiranës. Po ashtu, Shqipëria është kthyer në hambar të madh të Call Centerave. Në rastin konkret fitimi mujor përllogaritej deri në 30 mln euro”, tha ajo.


Shtuar 14.04.2026 22:30