Në kërkim nga Interpol për vrasje dhe vepra të tjera penale, publikohet momenti i arrestimit të Florind Ramës në Kolumbi (VIDEO)

Janë publikuar pamjet e arrestimit të Florind Ramës në Pereira të Kolumbisë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet evropiane.

Në video shfaqet momenti kur agjentët i vënë prangat dhe i lexojnë akuzat dhe të drejtat procedurale. Po ashtu, dëgjohet edhe momenti kur i arrestuari deklaron se nuk ka nevojë për avokat, ndërsa kërkon të kontaktojë një familjar.

Të lidhura

None found

Nuk kam avokat, nuk kam nevojë për një avokat… mund të bëjë një telefonatë”, dëgjohet t’i thotë ai agjentit.

Kujtojmë se ndaj Florind Ramës, i njohur edhe me pseudonimin Florin Terziu, ishte lëshuar një “kod i kuq” nga Interpoli, në kuadër të një hetimi të gjerë për përfshirje të dyshuar në rrëmbim, torturë dhe vrasje, ngjarje e ndodhur në vitin 2022 në Marbella të Spanjës.

Sipas mediave të huaja, kur u ndalua ai tentoi të identifikohej si shtetas gjerman, por hetuesit kishin tashmë informacion për origjinën e tij shqiptare dhe të kaluarën kriminale në Evropë. U zbulua gjithashtu se përdorte të paktën dy pasaporta për të lëvizur në vende si Mbretëria e Bashkuar, Mali i Zi, Serbia, Kroacia, Gjermania dhe Spanja.

Sipas informacioneve të deritanishme, Rama dyshohet se ka lidhje me struktura kriminale që veprojnë në Costa del Sol, një zonë e njohur në Spanjë për praninë e organizatave të trafikut të drogës dhe rrjeteve ndërkombëtare kriminale. Emri i tij, sipas hetimeve, është përmendur në disa linja operative që shtrihen në disa vende të Europës.

Rasti për të cilin ai kërkohej lidhet me ngjarjen e 30 qershorit 2022 në zonën Golden Beach në Marbella, ku u gjet i vrarë shtetasi serb Aleksandar K., i cili sipas dosjeve hetimore kishte shenja torture dhe plagë të shkaktuara nga armë zjarri. Hetimet e autoriteteve spanjolle çuan në lëshimin e urdhër-arresteve në korrik 2022 dhe më pas në nëntor 2023.

Sipas dokumenteve gjyqësore në Evropë, viktima dyshohet se kishte lidhje me rrjete të trafikut të drogës dhe kishte bashkëpunuar si informator për autoritetet gjermane, çka besohet se mund të ketë ndikuar në ngjarjen kriminale.

Hetuesit ndërkombëtarë po verifikojnë gjithashtu lidhjet e mundshme të të dyshuarit me rrjete kriminale me origjinë ballkanike, përfshirë grupe që operojnë në Mal të Zi, Serbi dhe Kroaci, si dhe kontakte të mundshme në Gjermani dhe më gjerë, përfshirë edhe Amerikën Latine.

 


Shtuar 11.04.2026 12:19