Këtë të martë, ka pasur debate mes opozitës dhe maxhorancës në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Shkak janë bërë ndryshimet në rregulloren e Kuvendit të propozuara nga PS, pasi PD argumenton se nuk janë emergjente sepse Gjykata Kushtetuese nuk e ka zbardhur ende vendimin e plotë, pasi rrëzoi socialistët për ndryshimet e njëanshme të bëra më herët në rregullore.
Bardhi i është drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, duke i thënë se e ka hedhur në erë Kushtetutën dhe për këtë iu dha të drejtë edhe Kushtetuesja me vendimin për ndryshimet në rregullore.
Të lidhura
None found
Sipas tij, duhet të pritet vendimi i zbardhur i gjykatës, ndërsa u shpreh se parlamenti nuk mund të jetë një tekë e maxhorancës.
“Me vetëdije ju e keni shkelur Kushtetutën. Dhe jo një herë, por dy herë. Me 8 me 0, Gjykata Kushtetuese ka thënë se Kryetari i Kuvendit e ka hedhur në erë Kushtetutën. Pra, Gjykata Kushtetuese na dha të drejtë për shkarkimin tuaj, por ju e keni rrëzuar atë me votë politike.
Prandaj, ndryshimet e rregullores nuk janë emergjente, sepse Gjykata Kushtetuese nuk e ka zbardhur ende vendimin. Pra, nuk ka çështje urgjente për ta trajtuar.
Po ju them: Gjykata Kushtetuese nuk e ka zbardhur vendimin. Prandaj, jua kërkoj me mirësjellje të bëheni garant i Kushtetutës. Parlamenti nuk mund të jetë tekë”, ka thënë Bardhi.
