U tall me dëshmorët e 2 prillit, ofendoi deputetet e opozitës/ Tensionet në Kuvend, Bardhi-Peleshit: Balla të nxirret jashtë, po e çoni seancën në konflikt fizik, zonjat e mazhorancës zgërdhihen…

Pasi seanca plenare në Kuvend u rikthye për shkak të pushimit që mori si pasojë e tensioneve dhe përplasjeve në sallë, fjalën e mori kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi, që denoncoi dhe akuzoi kolegun e tij të mazhorancës, Taulant Balla, se jo vetëm u tall me gjakun e dëshmorëve të 2 Prillit në Shkodër duke kërkuar minutë heshtjeje me 10 deputetë në sallë, por ofendoi dhe kërcënoi deputetet zonja të opozitës.

Tensionet mes deputetëve ndodhën gjatë procedurës për fjalën e ligjvënësve, ku iu dha fjala deputetes Bora Muzhaqi dhe Elda Hoti i hoqi kartën elektronike.

Të lidhura

None found

Bardhi akuzoi edhe Peleshin për shkeljen e procedurave dhe çuarjen e seancës në përplasje fizike.

“Për shkak të shkeljes së rregullores nga ju po e çoni Kuvendin në konflikt fizik. T’ia heqësh fjalën kolegëve dhe t’ia japësh tjetrit kjo e çon Kuvendin vetëm në përplasje fizike. Po pamundësoni bashkëjetesën në Kuvend. Kryetari i grupit të PS u ngrit dhe bëri pis familjet e 4 dëshmorëve të dmeokracisë, të vrarë në Shkodër, të vrarë nga ish-sekretari i përgjithshëm i partisë tuaj Gramoz Ruçi, vjen e tallet këtu. Në sallë 10 deputetë, ai thotë të mbajmë 1 minutë heshtje, për çfarë e bënë për t’u tallur. Caktohet një orar kur mbahet heshtja, nëse s’e ke për t’u tallur. Ka një rregullore për minutën e heshtjes dhe procedurë”, akuzoi Bardhi.

Më tej, ai e akuzoi Ballën edhe për ofendimet dhe kërcënimet e deputeteve të opozitës në mënyrë të vazhdueshme.

“Ngrihet në mënyrë të përsëritur kërcënon dhe ofendon gratë e opozitës. A keni bashkëjetesë në parlament, provokoni dhe ofendoni në çdo moment. Ndaj që seanca të vazhdoj normalisht kryetari i grupit të PS do duhet të dalë përjashta, që seanca të vijojë në normalitet”, vijoi ligjvënësi opozitar.

Në fund, Bardhi u kërkoi edhe deputeteve socialiste që të mos qeshnin në sallë pas një lapsusi të tij.

“Shikoj zonjat e mazhorancës që zgërdhihen, nuk ka këtu për t’u zgërdhirë në mënyrë të përsëritur, një herë në foltore, një herë me zë e një herë pa zë. Nuk ju kemi fyer ne kurrë ju, as t’ju ofendojmë as t’ju kërcënojmë. Në vend që ta dënoni, zgërdhiheni”, u shpreh ai.

Peleshi reagoi dhe shpjegoi se nuk e kishte lejuar mbajtjen e minutës së heshtjes, pasi ishte dakord me ankimin e PD-së se kishte procedurë dhe rregullore, por kërkoi qetësi mes dy kampeve politike dhe vijimin e seancës normale në Kuvend.

“Keni të drejtë, jam dakord zoti Bardhi, nuk e lejova heshtjen solemne. Na thoni kur e doni le ta caktojmë dhe ta mbajmë seancën e ardhshme…”, tha Peleshi.


Shtuar 2.04.2026 14:53