Këtë të enjte, kryeministri Edi Rama, po zhvillon një bashkëbisedim me të rinjtë sa i përket procesit të integrimit në Bashkimin Europian, ku theksoi se fati për anëtarësimin drejt BE, është në dorë të të mëdhenjve.
Ai u shpreh se më në fund yjet e fatit të Shqipërisë janë rreshtuar siç duhet, pasi sipas tij një vend i vogël si Shqipëria mund të bëjë të gjitha “detyrat e shtëpisë”, por nuk avancon në proces për shkak se vendet anëtare të BE-së, nuk janë dakord që të vijohet me integrimin.
“Po na buzëqesh fati se janë bashkuar të gjitha yjet dhe janë vënë rresht në mbështetje të kësaj ëndrre që ka qenë shekullore. Kemi bërë një punë të madhe, e them me plotë gojë, për ta ndryshuar. Shqiptarët që janë jashtë ose ikin jashtë, sapo tregonin pasaportën, diçka nuk shkonte me policin në kufi. Por ne kemi ndryshuar disa gjëra. Ti mund t’i bësh detyrat e tua të shtëpisë, por nëse vendet e mëdha, që vendosin fatet e të vegjëlve, s’e kanë në plan të të marrin në një nivel tjetër, ti se kapërcen dot.
Sot jemi në kushtet kur vendet e BE duan të na marrin me vete. Siç thoshin dikur ata që udhëhiqnin dikur ku flisnin për horizontin e kuq, dhe këta mund të thonë; po ju pret horizonti blu. Por nuk është me fjalë, është me punë. Ne kemi qenë të zotë, por nga ana tjetër kemi pasur një palë që ka qenë e interesuar aq sa ne. Nëse pedagogu të sheh me paragjykim, apo i dhemb koka, dhimbja e kokës së tij mund të reflektohet te nota jote. Te vendet e mëdha, kjo është shumë e zakonshme. Nuk ka dalë ajo fjala kot që vendet e mëdha, bëjnë çfarë duan, vendet e vogla heqin çfarë duhet!”, tha ai.
Kujtojmë se qeveria shqiptare, ka marrë kritika në lidhje me qëndrimin e skandalit ‘Balluku’.

