Petro Koçi: Balluku duhet të ishte dorëhequr që në fillim, ajo ishte dhe shkaku i ndryshimeve në qeveri, Rama nuk duhet ta delegonte përsëri në Fier

Këtë të mërkurë, ish-deputeti socialist Petro Koçi, tha në studion e “News 24” se zv/kryeministrja Belinda Balluku, duhet të ishte dorëhequr që në fillim kur u ngrit çështja e saj ndaj SPAK, sepse e gjithë situata sa do u rezistua solli përsëri në shkarkimin dhe pezullimin e saj, madje edhe në ndryshimet e qeverisë.

Gjithashtu, ish-deputeti i PS komentoi situatën politike në të dy kampet partiake, PS dhe PD, duke nënvizuar se nuk janë të ngjashme, pasi te opozita partinë po e shkatërron Sali Berisha, kurse në krahun tjetër ende nuk ka një krizë të dukshme, edhe pse Edi Rama po përballet me probleme.

Të lidhura

None found

Sipas tij, Belinda Balluku nuk duhet të ishte deleguar përsëri nga Rama në qarkun e Fierit, edhe pse nënvizoi se në atë qark PS fiton lehtë dhe kushdo që të dërgohet siguron fitoren.

“Në Fier nuk ka dështuar njeri deri tani. Belinda u dërgua në Fier për të fituar sepse atje fitohet. Belinda e kam thënë do kishte avantazhe morale që të kishte dhënë dorëheqjen që në fillim. U bë gjithë ajo punë e zhurmë dhe përsëri ku shkoi, tek heqja e saj, shkarkimi apo pezullimi. Balluku ishte edhe arsyeja apo shkaku për lëvizjet e bëra në qeveri. Normalisht mund të mos dërgohej në Fier si e deleguar megjithatë është zgjedhje e tij (Ramës), e konsideron të lehtë atje”, tha Koçi.

Ai u shpreh edhe kundër dërgimit të delegatëve nga Tirana në qarqet e tjera dhe anasjelltas, duke i qëndruar besnik strukturave në rrethe.

Por shtoi se mund të kishte mbikëqyrje të punëve apo menaxhim, por jo duke u dhënë fuqi më të madhe të deleguarve për të vendosur. Koçi theksoi se nuk sheh ende krizë në PS.

“Njerëzit votojnë të pushtetshmit dhe jo vlerën. Në PS nuk ka shumë debat të brendshëm, demokracia vjen në zbritje dhe jo në rritje. Kjo ndodh edhe në vendet e tjera të Evropës. Nuk shoh krizë në PS. Por edhe kjo gjëja e të deleguarit është e çuditshme. Nuk mund ta dërgosh nga Tirana në qark për punës atje, mund të ketë rregullime dhe mbikëqyrje apo menaxhim, por atje ka struktura. Unë nuk jam për këtë model me të deleguar.

Në Tiranë e menaxhuam shumë mirë. Në Tiranë edhe partitë e vogla marrin mandate, kapet më lehtë përqindja e votave për mandat. Kjo mund të ndodhë edhe në Fier, ndaj shkuan te pragu Mundësia dhe Lapaj. Po të kishin marrë ata, s’do kishim marrë ne 12, por PD s’do ishte në këtë gjendje. Megjithatë faktori kryesor është Berisha dhe unë e kam thënë. Sa kohë që Berisha të jetë kalë i ngordhur, Rama e ka të sigurt fitoren. Mes Berishës dhe Ramës njerëzit zgjedhin Ramën, pavarësisht se edhe Rama ka probleme”, komentoi ish-deputeti socialist.

Për situatën në PD, Koçi deklaroi se prej kohësh e ka gjetur shkakun dhe e ka thënë se ai është Sali Berisha, të cilin e cilësoi jo vetëm shkatërrimtar të opozitës, por edhe “kalë i ngordhur”, për shkak të të cilit fiton Rama.

“Situata në PD erdhi për shkak të shumë faktorëve, shkatërrimi i saj. Për mua rikthimi i Berishës e shkatërroi PD-në. Debatet e brendshme, përplasjet, shpallja “non grata” e Berishës këto janë faktorët që ndikuan. Berisha është një aspekt jo pozitiv. Por unë nuk shoh luftë të brendshme në PS dhe nuk jemi në atë fazë që ta diskutojmë krizën në PS.

Situatat vijnë zakonshëm, natyrshëm në parti, por edhe Berisha iku vetë kur u largua, nuk e hoqën. Pra nuk ka situata të ngjashme mes PS dhe PD. Nuk ka parti politike ku të gjithë janë të kënaqur, ka edhe pakënaqësi. Marr edhe shembullin tim te Njësia 6., edhe pse tani është e tejkaluar, më lëvizën atëherë”, tha Koçi.

 


Shtuar 1.04.2026 15:52