“Ishte gabimi im më i madh”/ Kamala Islamaj rrëfen pse hoqi dorë nga muzika

Në një rrëfim të ndjerë në emisionin “A Show” në SYRI TV, këngëtarja Kamala Islamaj ka ndarë me publikun një histori personale që hedh dritë mbi një periudhë të vështirë të jetës dhe karrierës së saj artistike.

Artistja tregoi se lidhja e saj me muzikën nisi që në fëmijëri, ku pianoja u bë pjesë thelbësore e përditshmërisë së saj. Ajo i është përkushtuar këtij instrumenti për më shumë se një dekadë, nga mosha 6 deri në 18 vjeç, duke ndërtuar një raport të fortë emocional dhe artistik.

Megjithatë, rrugëtimi i saj pësoi një ndërprerje të fortë pas një zhgënjimi në një konkurs për të vijuar studimet në Akademinë e Arteve. “Ishte një nga arsyet për të cilat unë lashë pianon. U mërzita ekstremisht shumë, shita pianon dhe nuk e preka për 10 vjet. Ishte një gabim shumë i madh”, rrëfeu ajo, duke kujtuar një nga vendimet më të vështira të jetës së saj.

Pas një dekade larg instrumentit, ajo ka gjetur forcën për t’u rikthyer te pianoja, këtë herë me një qasje më personale. “Jam rikthyer për të kënaqur veten, për të mos u ndjerë vetëm. Gjithë jetën time kam kaluar vetminë e një fëmije duke luajtur në piano”, u shpreh këngëtarja.

Në intervistë, Kamala Islamaj foli edhe për tiparet e saj personale, duke thënë se ndihet “ende djali i munguar i prindërve” dhe ka një natyrë “menefregiste”. Ajo ndau edhe një kujtim nga fëmijëria: “amorpropi (dashuria për veten) është shumë i rëndësishëm”.

Sipas saj, edhe qyteti i lindjes, Korça, ka pasur ndikim të madh në formimin e saj artistik, duke qenë një burim i vazhdueshëm frymëzimi.


Shtuar 25.03.2026 15:56

Tags: ,