Skandali i rëndë seksual që përfshiu, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ka sjellë nisjen e menjëhershme të hetimit nga ana e prokurorisë së posaçme SPAK, ndaj anëtarit të KLP-së, Olger Eminaj.
Rasti që u transmetua mbrëmjen e djeshme nga emisioni “Stop” dhe tronditi opinionin publik, i është besuar për ta hetuar prokurorit të SPAK, Dritan Prençi, i cili gjatë ditës së djeshme ka qenë i gatshëm dhe sapo është njohur me materialin mediatik ka urdhëruar nisjen e hetimeve.
Gjatë mëngjesit të sotëm, Oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit janë paraqitur në ambientet e emisionit “Stop” për të marrë 1 kopje të CD-së së emisionit dhe kryer këqyrjen e materialeve gazetareske që u përdorën për transmetim televiziv.
Njëherësh, Dritan Prençi, ka urdhëruar BKH-në të shkojë në ambjentet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për të sekuestruar pamjet filmike dhe njëherësh sekuestrimin e ankesës së bërë nga qytetarja R.M, ndaj prokurores së Tiranës Rovena Zoto.
Ankesa e R.M është bërë me shënim nga kryetarja e KLP-së Mirela Bogdani, duke ja kaluar për shqyrtim relatorit të ankesës, Olger Eminaj.
Pas këtij momenti, Eminaj hyn në kontakt përmes “Facebook” me ankuesen R.M dhe më pas në “Ëhats app”, duke i kërkuar favore seksuale gruas që kishte për detyrë ti jepte një përgjigje për ankesën që ajo kishte bërë.
Ndërkohë për skandalin në fjalë, që prej orës së mesditës së sotme anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, janë duke zhvilluar një mbledhje urgjente, jashtë rradhës, për të marë masa dhe dënuar veprimet e anëtarit të KLP-së, Olger Eminaj.
Pritet që sot KLP-ja të dalë me një vendim shkarkimi ndaj Olger Eminaj. Ndërsa rasti nga ana penale po monitorohet dhe ndiqet nga SPAK. Njëherësh një hetim administrativ ka nisur nga KLP për këtë rast të paprecedentë që ka ndodhur në kupolën e Drejtësisë Shqiptare.
Por ajo që është më e çuditshme është fakti se asnjë nga institucionet e Drejtësisë dhe përfaqësitë e huaja, deri në këto moment nuk kanë mbajtur asnjë reagim zyrtar për këtë rast skandali seksual./Syri.net
